Mandati i dytë i PD-së
Andi Kananaj
Mandatimi i dytë i herës së parë të Partisë Demokratike u ndërpre në mes për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. Duke qenë se nuk besoj tek koincidencat kozmike, numrat e fatit, apo syri i keq mendoj se përplasjet në koincidencë nuk tregojnë shumë. Kjo nuk më pengon që të vë bashkë sjelljet e përbashkëta të anëtarëve të Partisë Demokratike, që nga ana tjetër si bi-mandatimin e parë, ashtu dhe në të dytin fitojnë nuanca të forta simetrie.
Në parlament në vitin 96 në një orë u thye një rekord që nuk besoj se do të thyhet nga ndonjë parlament tjetër në botë. Brenda një ore u kaluan 400 ligje të ndryshme. Deputetet e parlamentit shqiptar kryesisht të Partisë Demokratike, produkt i zgjedhjeve të manipuluara, nuk e patën peshën e ndërgjegjes, ndërkohë që po kalonin aq ligje sa nuk do të ishin në gjendje të lexonin një jetë të tërë. Kjo nuk i pengoi që të votonin dhe të shpreheshin me tonet e ashpra të atyre viteve. Drejtuesja e parlamentit të sotëm (për të krijuar tablonë e qartë të krahasimeve) është e njohur për stampimin e ligjeve pa lënë kohën e duhur dhe për tharjen e bojës mbi letër. Arroganca e pushtetit tani nuk ruan as fasadën e një procesi që realisht nuk ka më shumë se fasada.
Në vitin 96 protestuesit rriheshin brutalisht. Pamjet e protestës së opozitës bënë gjiron e botës vetëm rastësisht, sepse të paktën deri në atë moment fytyra duhej ruajtur përpara të huajve. Në vitin 97 popullit të Vlorës të konsideruar si kryengritës iu lanë, ashtu në grup, jo më shumë se 24 orë afat për të dorëzuar armët. Në rast të kundërt dënimi i përcaktuar nga qeveria ishte ai i burgut me jo më pak se 25 vjet.
Në vitin 2011, në mes të Tiranës vriten 4 protestues. Policia sulmon në mënyrë brutale jo vetëm protestues, por dhe kalimtarët e rastit. Berisha i konsideron protestuesit si puçistë. Çadrat e tyre si armë të vrasjes në masë. Nuk lejon protestën e radhës së opozitës dhe kërcënon protestuesit me një fjalim të tijin jashtë çdo logjike shtetërore.
Këto dy momente janë të lidhur bashkërisht nga aftësia e ulët e Partisë Demokratike dhe liderit më shumë se shpirtëror të saj, për të zgjidhur krizat që janë krijuar nga situata të pritshme.
Në të dyja situatat analoge, distanca midis asaj që ndodh në të vërtetë dhe asaj që tregohet nga anëtarët e Partisë Demokratike pas deklaratave zyrtare, është kaq e madhe sa detyrimisht do të detyrohemi të përcaktojmë se jemi përpara të vërtetës së krijuar, si e vërtetë fetish. Në një situatë të ngjashme të marrë në analizë nga filozofi Slavoj Zhizhek, 200 mijë japonezët që jetonin në Brazil pas Luftës së Dytë Botërore, u ndanë në dy grupe. Në ata që besonin që Japonia ishte dorëzuar dhe në ata që besonin se lajmi ishte i pavërtetë. Grupi i dytë krijonte me anë të montimeve faqe të parë të revistës Life, ku tregohej se gjeneralët amerikanë gjunjëzoheshin përpara perandorit japonez. Një nga reagimet që pati ky grup, ishte dhe likuidimi i pjesëtarëve të grupit që kishte besuar lajmin se Japonia ishte humbëse e luftës. Përplasja u bë kaq e fortë sa nga kjo përplasje të vërtetash, humbën jetën mbi 3 mijë vetë.
Nga kjo situatë, jo vetëm për shkak të numrit 3 mijë të vrarë si në Shqipërinë e vitit 97, por dhe nga ndarja e qartë që ndodhi midis Shqiptarëve në 21 janar 2011, (midis atyre që u tronditën nga vrasjet, dhe atyre që u tronditën nga protesta) gjejmë paralelizmin e duhur për të kuptuar se ku çon ndërtimi i një të vërtete virtuale. Rreziku që me një lider Shpirtëror të rrezikshëm si Berisha të krijohet mbulesa e një të vërtete fetish, e cila në fund çon në situata të pakontrollueshme dhe nga vetë lideri. Tempizimi i ngjashmërive historike është perfekt për të arritur në përfundimin se përplasja është gjithmonë afër.
Arroganca, me të cilën deputetët dalin për të mbrojtur ose sulmuar çdo situatë që nuk është e krijuar nga Berisha tregon se e vërteta në atë kamp nuk kërkohet si element i domosdoshëm. Vendosmëria për ta çuar deri në fund propozimin e tyre, i ndërtuar mbi element të kritikës ndaj një sistemi të mëparshëm jo real në ditët e sotme jep antipastën e të vetmes mënyrë ekzistence të këtij grupimi. Dhunë mbi baza argumentesh të tejkaluar.
Nga ana tjetër, opozita qëndron në rolin e një Krishti pa plan, e duke kthyer gjithmonë faqen tjetër në momentin e gabuar, vetëm për fetishin e tolerancës. Roli i opozitës do të ishte i vlerësueshëm, nëse me anë të faqes tjetër të mos zbritej në nivelin e sistemit tanimë të dominuar nga Partia Demokratike. Por, opozita nuk është e gatshme që të jetë palë e kësaj rezistence, që të bëjë diferencën. Opozita jep faqen tjetër vetëm për të krijuar konsensus me anë të rolit të viktimës. Ky interpretim i pamjaftueshëm i fjalëve të Krishtit çon në impotencë dhe pamjaftueshmëri të rolit të saj garantues. Sistemi nuk duhet të jetë e ndërtuar nga dy gjymtyrë, ku njëri dominon dhe tjetri pret në heshtje të fitojë vëmendje popullore për shkak të dobësisë së vet. Opozita duhet të jetë në rolin e forcës balancuese që nuk lejon pikërisht këtë arrogancë të marrë avantazhe nga forca e vet. Opozita nuk ka në plan as të përgjigjet. Kjo në emër të një sistemi në vetvete të keqkuptuar. Nëse vlera e opozitës është që të kthejë faqen tjetër dhe nga fyerja apo shenjat e dhunës të fitojë zgjedhjet, kjo në Shqipëri nuk funksionon. Shqiptarët janë popull që do besimin që po i jep konsensus atij që mund të marrë vendime. Shqiptarët vijnë nga pozicioni i njeriut që kishte si profesion luftën dhe për një ushtar të përjetshëm nuk ka arsye pse të votojë një besimtar të dorëzuar. Lidhja e besimtarit me Zotin duket se e ka blerë shumë entuziazmin e stërgjyshërve tanë. Opozita në këtë rast më shumë se një viktimë, duket se luan teatër më ndërkombëtarët por dhe kjo nuk po ka kaq duk mesa shihet. Berisha po luan njëlloj. Nga ana tjetër, Berisha mund dhe të manipulojë zgjedhjet meqë dukshëm nuk e ka si kompleks zhvendosjen e vullnetit politik të vendit. Në vetvete dhuna është ideologji që ka pasur suksesin e vet historik të pamohueshëm. Nëse socialistët besojnë realisht se Berisha do të distancohet nga dhuna me kalimin e kohës, atëherë socialistët nuk janë vetëm viktima të Berishës po dhe viktima të mënyrës së vet të të menduarit.
Mandati i dytë i Partisë Demokratike koincidon gjithmonë me varfëri të papranueshme, e cila shkakton uri dhe frikë të madhe, gjë që pengon të vërtetën fetish të fotomontojë realitetin. Ndoshta për shkak të arrogancës, ndoshta për shkak të ndonjë konspiracioni ndërkombëtar, ndoshta se drejtuesit e kësaj partie janë pa fat, por kjo ndodh rregullisht në 4-vjeçarin e dytë kësaj partie. Pas kësaj të vërtete nuk ka ekspert videosh që mund të flasë.