E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i perket PS por modalitetet duhet te jene vetem ligjore

Kryetarja e Kuvendit i kundërpërgjigjet akuzave të lidershipit socialist për pengesa nga ky institucion në marrjen e mandatit të PS-së. Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, përmes një deklarate për shtyp të vënë në dispozicion për mediat nga zyra e informacionit pranë Kuvendit, sqaroi në detaje të gjithë procesin, që nga vendimi i KQZ-së e deri në kërkesën e vetë PS-së për zëvendësimin e emrit që i takonte mandati.  

“Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka patur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS nga mandati që i takon! Akuza e zotit Rama është thjesht qesharake dhe e pabazë, sepse disa javë më parë, KQZ ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS ka patur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS nuk e ka bërë”, theksohej në deklaratën e Kryetares së Kuvendit.

Gjithashtu, duke iu referuar pikërisht mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, e kërkuar nga PS, Kryetarja e Kuvendit vlerëson se anëtarët e Këshillit kanë bërë diskutime të përgjegjshme dhe se është e kënaqur që konsultimet për gjetjen e modaliteteve ligjore po vazhdojnë. 

“Nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës.  Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnje institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket  PS, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore” theksohej në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›