E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme: Bashkëshortja e Alfred Pezës nuk është larguar nga detyra

TIRANË- Ministria e Jashtme ka reaguar në lidhje me deklaratat e deputetit të PS në Peqin z. Alfred Peza, i cili pretendon se bashkëshortja e tij, znj Mirela Peza është hequr nga detyra e saj, një ditë pas shpalljes së kandidaturës së tij për deputet.

Në një reagim për mediat, duke i cilësuar deklarata e pavërteta, Ministria e Jashtme sqaron se znj. Peza vazhdon të punojë në Ministrinë e Jashtme si shefe e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, dhe nuk është e vërtetë që është larguar nga detyra. Sipas Ministrisë ajo thjesht është lëvizur në detyrë, një vit më parë, në kohën kur gjithë Ministria e Jashtme u ristrukturua, dhe kjo lëvizje nuk ka aspak lidhje me kandidimin e zotit Peza.

“Për transparencë dhe mirëinformim të opinionit publik, sqarojmë se znj Peza vazhdon të punojë në Ministrinë e Jashtme si shefe e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, dhe nuk është e vërtetë që është larguar nga detyra. Sqarojmë se zonja Peza ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shtypit dhe Informacionit deri në datën 07.06.2012. Në bazë të miratimit të strukturës dhe organikës së re të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo drejtori u kthye në sektor dhe zonja Peza u emërua shefe e këtij sektori. Me urdhër të ish ministrit Haxhinasto numër 190, dt 07.06.2012, zonja Peza u emërua përgjegjëse e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, ku vazhdon dhe sot. Sqarojmë se kjo lëvizje në detyrë një vit më parë, në kohën kur gjithë Ministria e Jashtme u ristrukturua, nuk ka aspak lidhje me kandidimin e zotit Peza”, thuhet në deklaratën e Minsitrisë së Jashtme.

“E paverteta më e madhe qëndron në deklaratën e zotit Peza kur thotë se gruaja e tij u hoq nga detyra një ditë pas kandidimit të tij. Zoti Peza deklaron se gruaja e tij është larguar nga detyra në 3 shkurt të këtij viti, kur ai la gazetarinë për politikën. Kjo është një genjeshter e madhe që përdoret për qëllime elektorale, dhe synon të dizinformojë opinionin publik. I kujtojmë zotit Peza se nuk është mirë, të nisë karrierën e tij politike me gënjeshtra të cilat janë lehtësisht të verifikueshme”, nënvizohet më tej në deklaratë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›