Manifestim popullor në përkrahje të Haradinajt
Qytetarë të shumtë dhe përfaqësues politikë të Kosovës janë mbledhur dje në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, në përkrahje të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pjesëmarrësit kërkuan lirimin sa më të shpejtë të zotit Haradinaj nga paraburgimi në Hagë. Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008, e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Në rigjykimin e pjesshëm, data e të cilit ende nuk është caktuar, do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish-Ushtrisë çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën Perëndimore.