PD dhe LSI, konsensus për miratimin e një ligji organik për Presidentin

Pritet një nismë ligjore që t’u presë rrugën mosveprimeve që po shfaqen prej institucionit të presidencës dhe që kanë mbjellë një kënetë ligjore të papranueshme në të gjithë sistemin e drejtësisë, por në disa institucione të tjera kushtetuese
Presidenti i Republikës në raport me dekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndajnë të njëjtin qëndrim pëer nevojën e hartimit të një ligji organik, për institucionin e Presidencës. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve Viktor Gumi dhe Nasip Naço shprehen se institucioni i Presidencës është nga të paktët pa një ligj organik dhe miratimi i një drafti të tillë, do të rregullonte dhe zgjidhte debatin për afatet e dekretimit, siç është edhe rasti io debatit për kreun e Gjykatës Kushtetuese. “Realisht kjo është një temë që është mbartur edhe është diskutuar, ndoshta jo me thellësinë dhe gjithëpërfshirjen e duhur, që kur është miratuar Kushtetuta në vitin 1998-ë. Sot pas gati 12 vjetësh skanimi të Kushtetutës ju mund të shikoni që çfarë do lloj organi tjetër ka ligjet e veta të organizimit dhe funksionimit të tij, filloni me Kuvendin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, KLSH-në etj. Pra, çdo lloj institucioni që është organ kushtetues ka organizimin dhe funksionimin e tij, me 3/5, kuptohet. I vetmi organ në këtë republikë që nuk ka një ligj organik për funksionimin dhe organizimin e punës së tij, është institucioni i Presidencës. Nuk do të thotë se Presidenti i Republikës nuk ka kompetenca. Ato mund të jenë të shpërndara në ligje të ndryshme. Megjithatë ka praktika evropiane në këtë fushë që kanë ligj për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Presidencës. Kam përshtypjen dhe bindjen e plotë se kjo është edhe fryma e Kushtetutës. Kjo është edhe një kërkesë që kur është diskutuar bërja e Kushtetuës, dhe presidenti i Republikës duhet të ketë ligjin e tij organik” - u shpreh deputeti demokrat, Viktor Gumi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i LSI-së dhe njëherazi nënkyetari i Kuvendit, Nasip Naço. “Ligji organik është një zgjidhje dhe mendoj se do ishte një zgjidhje e plotë edhe për institucionet e tjera, ku të deklarohej qartë për 3 apo 6 muaj që të fillonte procedura e emërimit. Dihet që është me mandat të pacaktuar dhe nuk do kishim këtë konflikt të panevojshëm”- u shpreh Naço. Debati për hartimin e një ligji organik për institucionin e Presidencës, është një debat i vjetër, por miratimi i një ligji të tillë kërkon edhe konsensusin e opozitës, pasi është një ligj organik që miratohet në Kuvend me shumicë të cilësuar. Viktor Gumi: Ligji organik shmang shkeljen e kushtetutës/Duke marrë shkas nga debati i fundit mes mazhorancës dhe presidentit, lidhur me mos emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, për shumicën parlamentare lind si domosdoshmëri, hedhja në diskutim e nisjes së një aksioni politik për miratimin e ligjit organik, i cili do bënte më kompetitive punën procedurale të institucionit të Presidencës dhe njëherazi nxirrjen jashtë loje të tendencave për shkeljen e Kushtetutës. Në dokumentin themeltar të shtetit janë 38 nene që përcaktojnë aspekte të veçanta të veprimtarisë dhe rolit të presidentit, por nuk ka një ligj që rregullon në tërësi organizimin dhe funksionimin e institucionit, së pari si një detyrim kushtetues, por që mbi të gjitha, do t’u jepte fund interpretimeve të shumta ligjore mbi veprimtarinë e presidentit. Neni 6 i kushtetutës, përcakton se veprimtaria e institucioneve rregullohet nëpërmjet një ligji organik. Sot këtë ligj nuk e ka presidenti i republikës dhe kjo sipas mazhorancës është një mangësi e theksuar e një institucioni të rëndësishëm shtetëror, siç është Presidenca. “Institucioni i Presidencës, është i vetmi organ në Republikën e Shqipërisë që nuk ka një ligj organik për funksionimin dhe organizimin e punës së tij. Ndryshe nga institucionet e tjera shtetëtore, presidenti s’ka të rregulluar me ligj punën e tij. Ligji organik përcakton qartë rrjedhën e procedurave të funksionimit dhe përmes tij, shmanget shkelja e Kushtetutës”- u shpreh deputeti demokrat Viktor Gumi. Ai vuri në dukje se për të ndërmarrë një nismë të tillë duhet edhe konsensusi i opozitës, pasi për nga rëndësia kërkon 84 vota, pra një shumicë të cilësuar.
...