Ina Rama: Burgjet, korrupsion me lejet shpërblyese

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka kërkuar të gjithë vartësve të hetojnë lejet shpërblyese të dhëna nga burgjet dhe të mos mjaftohen vetëm me hetimin e personave që nuk kthehen të vuajnë dënimin, por të përqendrohen tek drejtorët dhe specialistët e burgjeve. Zyra e akuzës qendrore u ka nisur disa ditë më parë të gjithë prokurorëve të rretheve një shkresë me lëndë “mbi hetimin e procedimeve penale të largimit të të burgosurve nga vendi i qëndrimit”. Duke marrë shkak nga prangosja e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, numri një i akuzës ka theksuar në shkresën me numër protokolli 3133 se ka një subjektivizëm në dhënien e lejeve të të dënuarve dhe dokumentacioni, megjithëse është i rregullt, jo gjithmonë paraqet realitetin.
ShkresaKryeprokurorja Ina Rama jep alarmin se shumë prej të dënuarve për krime të rënda arrijnë të fitojnë lirinë, megjithëse mbi shpinë mbajnë një dënim. Duke përfituar nga disa lehtësira të ligjit, ata marrin disa ditë leje “shpërblyese” për sjellje të mirë dhe në disa raste nuk kthehen në burg. Disa ditë më parë, akuza qendrore nisi në drejtim të prokurorive të shkallëve të para një shkresë për t’u rikujtuar të hetojnë deri në fund këto probleme. “Nga të dhënat që administron Prokuroria e Përgjithshme rezulton se nga prokuroritë e rretheve gjyqësore në juridiksionin e të cilave ndodhen institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, në vitin 2009 dhe në gjashtëmujorin r parë të vitit 2010 janë filluar 17 procedime penale për veprën penale të parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal. Në të gjitha këto raste, hetimi është përqendruar vetëm në drejtim të përcaktimit të përgjegjësisë penal të të dënuarve, të cilët nuk janë kthyer në vendin e vuajtjes së dënimit, duke u fshehur ose ikur në drejtim të paditur”, thuhet në shkresën e akuzës. Sipas saj, meqenëse fenomeni i moskthimit të të dënuarve në burgje pas mbarimit të lejes shpërblyese ose lejes së veçantë ka tendencë rritje, ku në raste të veçanta të dënuarit që ndodheshin me leje kanë kryer vepra të rënda penale, si dhe ndaj ish-drejtorit të Burgut Rrogozhinë, është filluar procedimi penal për korrupsion në dhënien e lejeve të të dënuarve, tregon se shpeshherë ka subjektivizëm në dhënien e lejeve dhe dokumentacioni, megjithëse nga pikëpamja formalo-juridike është i rregullt, jo gjithmonë paraqet realitetin.
KërkesatDuke paraqitur këto probleme, kryeprokurorja Ina Rama u ka kërkuar vartësve të kenë kujdes në këto leje. “Duke pasur parasysh shqetësimin që paraqet problemi i largimit të të dënuarve nga vendi i qëndrimit, porositen drejtuesit e rretheve gjyqësore respektive që në të ardhmen të përqendrohen në katër pika”, vazhdon Ina Rama. Sipas saj, procedimeve për veprën penale të parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal t’u jepet precedencë, duke bërë hetime të shpejta, objektive dhe të gjithanshme, ku të rritet bashkëpunimi me institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Pika e dytë në shkresë ka të bëjë me hetimin. “Hetimi i këtyre çështjeve nuk duhet të jetë i njëanshëm, por duhet të zgjerohet, duke u thelluar në drejtim të bazueshmërisë së vendimeve për lejet shpërblyese dhe të veçanta dhe kur të vërtetohet se ka pasur shkelje të kritereve ligjore e nënligjore të nisur nga interesa të ndryshme, të vihen para përgjegjësisë penale drejtuesit dhe specialistët e IEVP për veprën penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet në shkresë. Kërkohet gjithashtu se gjatë hetimit të këtyre procedimeve, të thellohet puna në drejtim të përcaktimit të vërtetësisë së lëshimit të dokumenteve të tilla si: certifikata, vërtetime të ndryshme, akt-ekspertime mjekësore etj., që shërbejnë si bazë për dhënien e lejes së veçantë, me qëllim që kur të vërtetohen falsifikime të vihen para përgjegjësisë autorët. Në pikën e fundit të shkresës kërkohet se për një hetim sa më të plotë të këtyre çështjeve duhen pasur parasysh aktet nënligjore si: ligji numër 8328, i datës 16 prill 1998 me ndryshimet përkatëse “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, e miratuar dhe e bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 303, datë 25 mars 2009 dhe udhëzimi i muajit tetor të vitit 2009 i Ministrisë së Drejtësisë “për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta personave të burgosur”.
#