Ministrat, Berisha në krye, Meta i fundit
Anëtarët e qeverisë “Berisha” e kanë kaluar në “përgjumje” sesionin parlamentar që sapo është mbyllur. Sesioni i dytë kuvendor i legjislaturës së 18-të ka qenë më pak aktiv, për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend, por edhe për shkak të mungesës së debatit në sallën e Parlamentit. Sipas një vëzhgimi të gazetës “Shqip”, duke iu referuar të gjitha procesverbaleve të punimeve të Parlamentit për sesionin e dytë, Kryeministri Sali Berisha ka qenë njeriu që ka thyer rekordin e fjalimeve, ku në 28 seanca gjithsej, kreu i qeverisë ka mbajtur 27 fjalime në ligjëratë të drejtë, pa përfshirë këtu replikat që ka bërë herë pas here me deputetët e opozitës gjatë kohës kur ata kanë qenë prezent në Kuvend. Deputetët `skifterë` të Partitë Demokratike kanë qenë ata të cilët kanë mbushur kohën 60-minutëshe të 28 seancave të zhvilluara që prej 18 janarit të këtij viti e deri në 26 korrik. Por vlen të shtohet se ardhja e socialistëve në Kuvend dhe breshëria e deklaratave ka bërë që një pjesë e socialistëve t’i kalojnë edhe demokratët për numrin e fjalimeve në Parlament.
Ministrat në Kuvend“Heshtja është një nga argumentet më të vështira për t’u përgënjeshtruar”. Duket se ky ka qenë parimi dhe formula që kanë ndjekur 15 ministrat e kabinetit “Berisha” gjatë punimeve të Parlamentit. Në pamje të parë dukej se mungesa e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend do t’i detyronte demokratët dhe anëtarët e qeverisë të mbushnin 60-minutëshin e bisedimit të lirë në Parlament. Pas Kryeministrit, që ka tejkaluar çdo rekord fjalimesh dhe minutazhesh në Parlament, ofensivën e punës së qeverisë e ka pasuar ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka folur 15 herë nga foltorja e Kuvendit, ministrat Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha kanë mbushur minutazhin e bisedimit të lirë në Parlament me 13 fjalime secili, në mbrojtje të ligjeve të përgatitura nga ministritë e tyre, duke u shtuar edhe akuza socialistëve. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kanë të njëjtin numër fjalimesh të regjistruara në procesverbalet e Kuvendit për sesionin e dytë. Ministrat e tjerë nuk e kalojnë numrin e 6 fjalimeve nga foltorja e Kuvendit për të gjitha seancat parlamentare të këtij sesioni. Më pak aktivë në Parlament për sesionin e sapombyllur kanë qenë ministri i Bujqësisë, Genc Ruli; ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera; ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Katër ministrat e fundit kanë shfrytëzuar konferencat për shtyp në ministritë që drejtojnë për të qëndruar më në heshtje në sallën e Kuvendit. Shprehja e popullit se heshtja është e artë, u shkon për shtat ministrave të kabinetit “Berisha”, të cilët janë treguar pak aktivë në sallën e Parlamentit.
Mungesa e debatitPjesëmarrja e opozitës në Parlament ka ‘zgjuar’ debatin në sallën e Kuvendit dhe ka mbajtur gjallë frymën politike, duke nxitur edhe ministrat t’u përgjigjen akuzave të tyre. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse numri i fjalimeve të ministrave është më i lartë nga ai që mendohej të pritej në rast se opozita do të mungonte krejtësisht edhe në sesionin e dytë kuvendor. Në prag të bilancit parlamentar për sesionin e dytë të legjislacionit të 18-të që u mbyll në fund të korrikut, Kuvendi mban mbi supe një raport të vështirë për veprimtarinë e tij 6-mujore. Në 28 seanca parlamentare ka munguar unifikimi i votës për ligje që kërkojnë 3/5 e deputetëve, janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ligjet më të rëndësishme që kanë bërë bujë nga mazhoranca dhe opozita ka munguar në pjesën më të madhe të seancave.
Nga 40 seanca plenare gjithsej për dy sesionet parlamentare të legjislacionit të 18-të, të kryera për periudhën 7 shtator 2009-26 korrik 2010, opozita ka marrë pjesë në vetëm 12 prej tyre. Pas një bojkoti të gjatë, opozita hyn në Kuvend në shkurt, në një seancë të vetme, ku kryen betimin dhe më pas zgjedh rrugën e protestave dhe rizgjedh bojkotin e punimeve të seancave të Kuvendit. Dreka e Strasburgut mes Berishës dhe Ramës solli rihyrjen e opozitës në sallën e Kuvendit, ku opozita është treguar agresive në betejën e saj në sallën e Kuvendit, me gjithë vendimmarrjen e fundit për të mos votuar asnjë projektligj në Kuvend pa u bërë transparenca e zgjedhjeve. Me futjen e opozitës është rindezur debati politik në sallën e Kuvendit.
#