E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Lirimi i drejtorit të Rrogozhinës? Skandal i radhës

Reagimi Lejet shpërblyese, akuza: Kemi prova që vërtetojnë fajësinë e këtij zyrtari

Gjykata e Apelit të Durrësit liroi drejtorin e burgut të Rrogozhinës, i cili u ndalua nën akuzën e korrupsionit pasiv. Apeli, sipas akuzës qendrore, gjykoi në mënyrë të “paanshme”, të “pavarur” dhe “objektiv” dhe vendosi në fund lirimin e radhës të një funksionari publik të arrestuar për korrupsion. Më parë ky fenomen kishte ndodhur rëndom në kryeqytet, ku gjatë muajit korrik, Gjykata e Tiranës, e Apelit dhe Gjykata e Lartë kanë prishur disa vendime. Sipas burimeve nga akuza qendrore, i hetuari Pajtim Murrja kishte muaj dhe vite që në arkivat e Policisë Gjyqësore njihej si personi që në çdo funksion që kryente, merrte ryshfet për kryerjen e lehtësive dhe abuzimit me detyrën. “Këto dyshime u provuan plotësisht gjatë hetimit rreth katërmujor të kryer nga NJPH (Task Forcë) Durrës lidhur me detyrën e tij si drejtor i IEVP (Instituti i Ekzekutimit të Vendimeve Penale) Rrogozhinë.

Gjatë kryerjes së detyrës ai shfrytëzonte hapësirën ligjore që të dënuarve iu njihet për dhënien e lejeve shpërblyese, në raste fatkeqësish familjare apo gëzimesh dhe nisur nga kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë i dënuari, lidhur me kohën e vuajtur të dënimit. Drejtori së bashku me persona të tjerë, të gjitha kërkesat i kanalizonin në një drejtim dhe pikërisht në parapagimin e ryshfetit dhe më pas në miratimin e lejes. Në të kundërt, nuk mund të merrje leje shpërblyese dhe fakti tregon se ka të dënuar të cilët, edhe pse i plotësonin kushtet ligjore, nuk përfitonin leje, pasi nuk plotësonin ‘kushtin’ e drejtorit”, thanë burimet nga akuza qendrore gjatë korrespondencave me njësitë antikorrupsion të vendosura në disa rrethe të Shqipërisë, për të luftuar të ashtuquajturin krimet ekonomiko-financiare, si dhe korrupsionin në administratë. Nga hetimet ka rezultuar se drejtori kishte vendosur tarifa, të cilat i dukeshin të arsyeshme, pra 500 euro për maksimumi pesë ditë leje. “Pasi të gjitha dyshimet e kryerjes së veprës penale u provuan, ai së bashku me tre persona u urdhëruan nga Gjykata e Shkallës së Parë që të qëndrojë në masën e sigurimit “arrest në burg”, nisur nga rrezikshmëria dhe impakti negativ shumë i lartë që kjo vepër penale ka, si dhe nisur nga fakti që i dyshuari veprën penale e kishte bërë një ritual të përditshëm të punës së tij, etj.” thanë burimet nga akuza qendrore.

Më tej deklaron se Gjykata e Apelit të Durrësit, megjithëse bie dakord me vendimin e Gjykatës së Kavajës, sheh me vëmendje të madhe gjendjen shëndetësore të të dyshuarit dhe arsyeton se ai nuk mund të qëndrojë në burg se i rrezikohet jeta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›