Manipulime tenderësh në shkallë industriale
Skema
Tenderi - Një institucion publik nxjerr njoftimin se kërkon një mall apo një shërbim përkundrejt një fondi maksimal të paracaktuar
Pjesëmarrësit - Një grup kompanish ndajnë tregun, ose janë nën të njëjtën pronësi, ngarkojnë një punonjës të përgatisin tri, katër apo pesë oferta
Konkurrenca - Kur rastësisht një kompani tjetër merr pjesë në tender, komisioni i vlerësimit e përjashton atë për mangësi në dokumentacion
Rezultati - Fituesi merr kontratën përkundrejt një çmimi disa qindarka më të ulët sesa fondi limit i përcaktuar nga autoriteti tenderues
Autoriteti i Konkurrencës zbulon rastin e dytë të përgatitjes së dokumenteve nga e njëjta dorë
Gjergj Erebara
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi së fundmi se ka zbuluar një numër të madh rastesh ku gjashtë kompani bashkëpunonin me njëra-tjetrën për të manipuluar tenderët publikë që kryhen në sistemin elektronik të tenderimit të qeverisë, duke përcaktuar paraprakisht fituesin dhe duke i ngarkuar një punonjësi përgatitjen e dokumenteve për të gjithë pjesëmarrësit në tender. Rasti i zbuluar nga AK i përket tregut të sigurimit fizik nga ana e policive private. Në dy tenderë të analizuar, pjesëmarrësit në tender kanë arritur të sigurojnë fitoren me çmimin 99.99 për qind të fondit limit, pavarësisht se në këtë treg veprojnë me qindra kompani të ndryshme. Në një tender, ku autoriteti vlerëson se kanë marrë pjesë edhe kompani jashtë kartelit, oferta fituese qe 32 për qind më e ulët sesa fondi limit.
Hetimi zbuloi se në fakt tenderët ku teorikisht kompanitë duhet të ngarkojnë në faqen e tenderimit elektronik ofertat e tyre si dhe dokumentet përkatëse, qenë një skemë ku vetëm një punonjës përgatiste ofertat për të gjithë kompanitë. Faktet që çuan në këtë zbulim qenë të bollshme. Punonjësi i ngarkuar nga kompanitë i nxirrte dokumentet të gjitha njëherësh, brenda një dite dhe rrjedhimisht me numër protokolli njëri pas tjetrit. Vërtetimet nga tatimet, ekstraktet e regjistrimit në QKR, vërtetimet nga zyra e përmbarimit apo kontratat e sigurimit të ofertës, qenë të gjitha nga e njëjta dorë. Edhe ofertat, qenë copy-paste, pasi përmbanin të njëjtat gabime drejtshkrimore, të njëjtat formate dhe të njëjtin lloj shkrimi. Dokumentet e tenderit shpesh mbanin adresa të njëjta për kompani të ndryshme apo të njëjtët numra telefoni.
Në një rast, njëra prej kompanive fitoi një tender të organizuar nga Televizioni Publik Shqiptar me vlerë 20 milionë lekë duke hedhur një ofertë vetëm pak qindarka më të ulët sesa konkurrenti dhe më pak se 0,01 për qind poshtë fondit limit.
Një tender tjetër i organizuar nga Universiteti Politeknik për shërbimin e rojeve të sigurisë, kishte fond limit prej 9,95 milionë lekë dhe u fitua nga njëri prej konkurrentëve me një ofertë vetëm 13 mijë lekë më të ulët sesa fondi limit. Konkurrenti e pati humbur tenderin, pasi kishte kërkuar 100 për qind të fondit limit. Por një konkurrent tjetër, i cili pati ofruar këtë shërbim për 8,33 milionë lekë, qe skualifikuar nga komisioni i tenderimit.
Autoriteti i Konkurrencës e hetoi rastin në kuadër të shkeljes së konkurrencës dhe krijimin e karteleve në treg dhe vendosi të gjobisë kompanitë pjesëmarrëse në tender.
Ky është rasti i dytë i zbuluar nga AK për manipulimin e tenderëve në mënyrë të organizuar. Dy vjet më parë, AK hetoi tenderët e kryer nga institucionet e ndryshme për blerje makinash dhe aty zbuloi gjithashtu se një grup kompanish i përgatisnin ofertat së bashku.
Institucionet e tjera, të cilat teorikisht duhet të hetojnë veprën penale të manipulimit të tenderëve publikë, duket se nuk e shohin të arsyeshme të veprojnë. Në fund të fundit, në pafundësinë e tenderëve të kryera në Shqipëri, duhet të hetohen rastet kur ka pasur konkurrencë dhe rregullsi, në rast se mund të gjendet ndonjë rast i tillë.
Tenderimi elektronik, një flluskë
Tenderimi i centralizuar përmes internetit u konceptua disa vjet më parë si një sistem transparent dhe në dukje, që hiqte kontaktin e drejtpërdrejtë mes pjesëmarrësve në tender dhe zyrtarëve. Qeveria lavdëroi shpesh veten duke deklaruar se kjo qe një arritje e madhe në luftën kundër korrupsionit. Por nga një shqyrtim me sy të lirë i rezultateve të tenderëve, është e kuptueshme se shumica dërrmuese e tyre janë të manipuluara. Rezultati i tenderëve varion nga 97 në 100 për qind të fondit limit, duke i bërë praktikisht tenderët një procedurë sa për të thënë.
Vendimin e plotë të Autoritetit të Konkurrencës mund ta lexoni në: caa.gov.al
Manipulime tenderësh në shkallë industriale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip