E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi fillon fushatën, premton kompensim pronash pas zgjedhjeve

Gjergj Erebara

Deklarata

Ministri i Drejtësisë thotë se kompensimi fizik do të nisë vitin e ardhshëm

Eduard HalimiMinistri i Drejtësisë, Eduard Halimi, premtoi dje fillimin e kompensimit fizik të pronarëve që humbën pronat gjatë kohës së komunizmit, por ky kompensim, sipas tij, do të nisë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Brenda këtij muaji do të përfundojë harta e vlerës së tokës, që do ti hapë rrugë kthimit fizik të pronës, një proces që do të nisë vitin e ardhshëm, tha ministri.

Halimi e bëri këtë deklaratë ndërsa prezantonte një drejtues të ri për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Harta e re e vlerës do të jetë në përputhje të plotë me çmimet e tregut. Miratimi i kësaj harte vlere do bëhet brenda e javëve që janë në vijim për 10 qarqet e para, për të vazhduar më pas edhe me qarqet e tjera, duke përfshirë edhe kategori të ndryshme të sipërfaqeve të pronave dhe të natyrës së pronave që do të plotësojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për ti hapur rrugë fillimit të kompensimit fizik për pronarët. Vitin e ardhshëm do nisë kompensimi fizik,- theksoi Halimi.

Premtimi duket se ka karakter elektoral, pasi fushata për zgjedhjet parlamentare pritet të nisë në shtator, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në qershorin e ardhshëm.

Qeveria e Partisë Demokratike erdhi në pushtet tetë vjet më parë përmes premtimeve për të legalizuar ndërtimet pa leje, për të kthyer dhe kompensuar pronat e zëna gjatë kohës së komunizmit, si dhe për të luftuar korrupsionin.

Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave nisi në vitin 1993, kur qeveria vendosi të njohë, dhe, aty ku prona ishte e lirë, të kthejë pronat e konfiskuara apo sekuestruara nga komunizmi që gjendeshin në zona urbane. Pas presionit të vazhdueshëm nga Bashkimi Europian, rreth vitit 2004, qeveria miratoi një ligj me të cilin teorikisht do të kompensonte financiarisht ose me një pronë tjetër ish-pronarët, megjithëse ishte e qartë për të gjithë se ky kompensim nuk qe i mundur, për shkak të kostos tepër të lartë për buxhetin e shtetit.

Pavarësisht se kompensimi financiar nuk ishte i mundur dhe kjo gjë qe e qartë për të gjithë, qeveria organizoi shpërndarjen e disa miliona eurove përmes lotarive, ku për çudinë e të gjithëve, zyrtarë të lartë të qeverisë rezultonin me bileta fituese në mënyrë të përsëritur. Gj. Erebara

Halimi fillon fushatën, premton kompensim pronash pas zgjedhjeve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›