E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Berisha dhunues i ligjeve shqiptare dhe kushtetutës

>Ditën e djeshme Partia Socialiste ka denoncuar qeverinë Berisha se ka prodhuar legjislacion anti kushtetutës me shumicë. Ka qenë Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare te PSSH, Ylli Manjani i cili ka deklaruar se, shqiptarët gjatë këtyre tre viteve janë përjashtuar dhunshëm nga e drejta e tyre për të marrë pjesë në vendimmarrjen e shtetit. Grupet e interesit asnjëherë nuk u pyetën nga Sali Berisha dhe qeveria e tij. 
Sipas monitorimeve të PS në tre vite të plota, 2006, 2007 dhe 2008, Sali Berisha në këto vite i ka imponuar shqiptarëve legjislacion të pavlefshëm juridikisht. Nga verifikimi që i është bërë botimit të akteve të shtetit në fletoren zyrtare nga rezulton se nga 2924 VKM të marra në tre vitet, 1010  ose 34.5% e tyre janë të pa botuara ende në Fletoren Zyrtare- pra pa fuqi juridike, ose me vlerë 0-. "Me vendime të tilla Sali Berisha ka disponuar taksat, pasuritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Me këto vendime ka drejtuar vendin në korrupsion masiv, siç është tashmë edhe rasti i korrupsionit të rrugës Durrës Kukës",- u shpreh Manjani. Manjani akuzoi Berishën  si njeri që ka dhunuar ligjet e shtetit shqiptar,  që nga ligji për KLD e deri te ligji i dosjeve duke u rakorduar në memorien e këtij shteti si dhunuesi më i madh i Kushtetutës në vend. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një pjesë të mirë të këtyre ligjeve, disa të tjera janë në proces. Jemi të shqetësuar për një seri VKM dhe aktesh nën ligjore të qeverisë që vazhdojnë të jenë në fuqi megjithëse shkelin kushtetutën dhe ligjet. "Sali Berisha dhe qeverisja e tij me legjislacionin që prodhoi në këto tre vite nuk shuajti asnjë konflikt social",- u shpreh Manjani.  Përkundrazi, tha ai "thelloi pabarazinë sociale dhe krijoi tensione të reja. Përplasjet ndërmjet pronarëve dhe të legalizuarve ose pronarëve dhe sipërmarrësve janë të njohura tashmë për të gjithë ne". Manjani tha se "Berisha hartoi e miratoi legjislacion në mënyrë diletante dhe shumë larg standardeve profesionale". Fakti të ligjet dhe VKM e tij ndryshohen çdo muaj apo çdo dy muaj tregon më së miri se sa profesionale është kjo qeveri".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›