E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne dhe Lenini , Vjen me mesazhin e humanizmit dhe denoncon dyfytyrësinë

>Filmi Ne dhe Leninishfaqet premierë në Tiranë, ndërsa në datën 26 janar në Prishtinë
Filmi më i ri shqiptar Ne dhe Lenini, u shfaq premierë në ekranin e kinema Millenium, duke filluar nga sot do të shfaqet për publikun. Me filmin Ne dhe Lenini regjisori Saimir Kumbaro rrëfen historinë tragjik-komike të një grupi të moshuarish që jetojnë në një azil. Janë një grup aktorësh që kanë eksperiencë filmike, ku marrin pjesë aktorë karakteresh si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Lazër Filipi, Tinka Kurti, Harie Rondo etj. Ky është një produksion që regjisori Kumbaro i kthehet pas 12 vitesh, një film i cilësuar ironik dhe tendencioz. Bëhet fjalë për një portretin e Leninit, atij që ekziston në trurin tonë. Me skenar të Ruzhdi Pulahës, filmi përcjell idenë e regjisorit duke u futur në një lloj bunkerizimi të trurit apo mbeturina të diktatorit. E kaluara komuniste, se si është përjetuar në një kontekst historik, qesharak, u kthen një lloj dëshpërimi atyre që kaluan pjesën më të mirë të jetës, në këtë brumosje. Ndërkohë që dje gjatë një konference shtypi regjisori Saimir Kumbaro u shpreh se sot filmi shqiptar po përjeton një krizë, e cila sipas tij vjen nga një sërë problemesh, duke filluar që nga mungesa e financimeve që duhet sot për të realizuar një film. Një ditë pas premierës së filmit e konsideruar një komedi dramatike Kumbaro rrëfen se një nga pikat e forta të filmit Ne dhe Lenini përveç temës, që i kushtohet moshës së tretë është skenari, për të cilin është konsultuar me skenaristin amerikan Sean Clark. Regjisori Saimir Kumbaro në fillim ka marrë spunto nga drama e Ruzhdi Pulahës Streha  e të harruarve, të cilën më pas e ka konkretizuar në film, por ka ndryshuar shumë për tiu përshtatur kritereve kinematografike. Në qendër të filmit ndodhet mosha e tretë. Kjo moshë, thotë Kumbaro: "është stacioni i fundit i njeriut, ndaj dhe ne duhet t`i kushtojmë më shumë vëmendje. Për mesazhet që ka dashur të transmetojë nëpërmjet këtij filmi Kumbaro tha se: Filmi ka disa mesazhe kryesore, si fillim është humanizmi që sjell, por një tjetër i rëndësishëm është dhe denoncimi i disa personave të veshur me pushtet politik, që duan të përfitojnë favore që nuk u takojnë. Nëpërmjet këtij filmi kemi dashur të denoncojmë këtë dyfytyrësi, që e hasim shpesh". Lidhur me përdorimin e paktë të muzikës në film Kumbaro tregon se sot në filmat shqiptarë po përdoret shumë muzika elektronike, e cila nuk është e përshtatshme. Jam munduar ta paraqes filmin në planin dokumentaresk, pa muzikë, pasi kështu filmi bëhet më i prekshëm. Muzika elektronike që aplikohet së fundmi, e vendosur pa shpirt, ta dëmton veprën", u shpreh regjisori Kumbaro. Më tej ai shton se: "filmi shqiptar i këtyre 18 vjetëve të fundit nuk ka gjetur ende vendin që i takon, por mund të quhen më të realizuar filmat e para viteve '90-të". Më tej duke folur mbi financimet që bëhen nga QKK për filmat shqiptarë ai tregon se: "Ligji në Shqipëri nuk e lejon Qendrën Kombëtare Kinematografike të financojë 100 përqind të filmit, por vetëm 70 përqind. Në këto kushte arrita t'i siguroj fondet falë një bashkëpunimi me Ambasadën Franceze dhe Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë. Ndërkoëh që i pranishëm në këtë konferencë shtypi ishte dhe producenti maqedonas Imran Fetorih, i cili u shpreh se: filmi shqiptar është film me buxhet të ulët, dhe duhet një mund i madh për të kthyer fjalën në pamje. Filmi pas shfaqjes së tij  në ekranin e kinema Millenium do të shfaqet premierë në datën 26 janar në Prishtinë, ndërkohë që më pas pritet premiera e tij në Shkup. Ngjarjet në filmin Ne dhe Lenini zhvillohen në një shtëpi të moshuarish, e cila quhet Lulet e vjeshtës. Aty, një grusht pleqsh shtyn ditët. Befas i kërcënon rreziku që të mbeten pa shtëpi. Strehës ku ata banojnë i del pronari, një biznesmen që ka vënë kandidaturën për kryetar bashkie në qytet. Pleqtë i kundërvihen vendimit të Komisionit të Pronave për anulimin e tij. Ata zbulojnë se kandidati për kryetar bashkie i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë dhe kërkon të përvetësojë një pronë që nuk i takon. Pleqtë kërkojnë ndihmën e Llazar Koritës, aktorit që dikur ka interpretuar Leninin në një dramë të njohur para shumë vitesh. Lenini hidhet në mbrojtje të së drejtës, por përpjekjet e tij bien në vesh të shurdhët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›