Manjani: Kryeministri të shkarkojë Sefgjinin
Kryetar i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, kërkoi sërish dje shkarkimin e drejtorit të Tatimeve, Arben Sefgjini. Ai ngriti pyetjen se si ka mundësi që Kryeministri vazhdon t‘i nxjerrë bojën këtij shteti, duke mos shkarkuar nga detyra një të akuzuar për vrasje. "Drejtori i Tatimeve nuk shkon dot as në Maqedoni, sepse nuk ka pasaportë. Sepse, pasaporta i është bllokuar nga Prokuroria, pasi akuzohet për vrasje", tha Manjani. Sipas tij, shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh qeverisë ose më saktë tekave të Kryeministrit, që nuk shkarkon një të akuzuar. "Ndërkohë që ajo që kërkohet është vetëm minimumi i minimumit. Them minimumi, sepse ne kemi plotësisht të drejtë që t‘i kërkojmë Kryeministrit që na ka premtuar se do të luftojë "dhëmb për dhëmb" krimin", tha Manjani. Duke nënvizuar faktin se kjo qeveri po ju thotë me zë të lartë shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve, se ka vendosur të luftojë krimin e kujtdo, por jo të vetes së saj. "Cilido i akuzuar deri më sot nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mbahet në burg, ndërsa të akuzuarit që i mbron Kryeministri, janë jo vetëm të lirë, por edhe në krye të Tatimeve. Ky është diskriminim i shëmtuar", vlerësoi ai. Manjani e cilësoi këtë një diskriminim jokushtetues, të kryer nga qeveria e një shteti anëtar të Këshillit të Evropës dhe në pritje për t‘u anëtarësuar në NATO. "Edhe një herë i kërkojmë zotit Kryeministër, të shkarkojë drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, duke lënë prokurorinë dhe gjykatën të qetë, të bëjnë detyrën e tyre", këmbënguli Manjani.