Bello: Berisha zhvat xhepat e shqiptarëve
Rritja e çmimeve ka nxjerrë dje në një komunikim me median deputetin e Partisë Socialiste Marko Bello. Ai vuri në dukje se qeveria është dorëzuar dhe nuk po ndërmerr asnjë veprim për të rimbursuar familjet e goditura nga kjo krizë. "Përkundrazi, me politikën e saj fiskale, taksat dhe rikthimin brutalisht të sistemit të referencave, qeveria e Kryeministrit Sali Berisha po ndikon edhe më tej në varfërimin e familjeve shqiptare", konstatoi Bello. Sipas tij, veprimi i Sali Berishës demonstron krizë mbi krizë dhe ka si produkt varfëri mbi varfërinë. Ai kujton se që nga vjeshta e vitit që shkoi, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur mbi çdo familje shqiptare që ka të paktën një njeri të punësuar, në shtet apo në privat, tatim 10% mbi të ardhurat nga puna, e famshmja Taksë e Sheshtë. "Në vitin 2007, Kryeministri Berisha u mori shqiptarëve mbi 160 milionë dollarë nga tatimi mbi pagat, pra përmes Taksës së Sheshtë", thotë Bello. Ndërsa në vitin 2008, Kryeministri Berisha ka planifikuar t‘u marrë shqiptarëve mbi 200 milionë dollarë si tatim mbi pagat, pra përmes Taksës së Sheshtë. "Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2008, Kryeministri Berisha u ka marrë shqiptarëve 55 milionë dollarë si tatim mbi pagat ose 172 për qind të planit", nënvizoi Bello. PS-ja vlerëson se në kushtet kur papunësia në këtë vend është rritur, realizimi i kësaj takse mbi planin ngjan tërësisht me grabitje. "Qytetarët shqiptarë, si konsumatorë fundorë paguajnë edhe 20% TVSH në çdo faturë blerjeje malli apo shërbimi. Mjafton që t‘u kujtojmë se në çdo faturë të energjisë elektrike me çmimin e rritur 20% është TVSH", nënvizoi Bello.