Edhe e ardhmja ka kujtime
Në hollin mikpritës të Universitetit Evropian të Tiranës, dje u promovua një ekspozitë pikture e fotografie bashkë, e artistit vlonjat me një barrë të madhe identiteti austriak, Fatmir Velaj. "Kujtimet e së ardhmes", titullohet ekspozita që është e pazakontë për vendhapjen: holli i një universiteti, por jo pa shpjegim. Henri Çili, një ndër themeluesit dhe drejtuesit e UET-së, ish-gazetar i zellshëm kulture dhe jo vetëm aq, është ai që e ka ftuar Velajn që "Kujtimet" e tij, t‘i ekspozojë jo në ndonjë galeri siç ndodh zakonisht, por në strehën dijemarrëse dhe intelektuale siç është Universitetit Evropian. Sepse dhe tagri i Velajt si artist, është tipikisht evropian dhe me një përhapje jo të pakët në vatrat e artit perëndimor, kryesisht atij vizual. Fatmir Velaj njihet dhe si kryetar i "Forum Ëeltoffen International", me një aktivitet të ethshëm artistik, i njohur dhe i vlerësuar dhe nga autoritetet më të larta të shtetit austriak. Për të hapur ekspozitën në ambientet e UET-së, Velaj thotë se pat marrë një ftesë nga Çili, por pa qenë fillimisht shumë entuziast që kjo ftesë kishte doza serioziteti. Vetëm dje, teksa shihte produktet e tij të varura në mur, fotografi e piktura, ishte i bindur se Çili e kishte pasur seriozisht. "Kujtimet e Memories", janë përzgjedhur nga Velaj, pasi ato kanë pasur një pritje të bujshme kur janë ekspozuar tre vite më parë në Angli. E përkundër një lloj skepticizmi dhe një lloj paralajmërimi austriak për një anglez që s‘para i ndizet gjaku kollaj për vepra të artit vizual, ekspozita e Velajt, është pritur jo thjesht mirë. Shkruan disa gazeta. Dhe kjo nuk është pak për hundërpjetësinë tipike angleze. E nuk mund të thuhet që Velaj ua uli. Thjesht u provokoi drithërimën e flegrave me aromën e rrallë të punëve të tij.
Fatmir Velaj, është një artist që endet mes pikturës (në disa gjini), fotografisë dhe esesë.
Ai ka një karrierë të gjatë, me shumë çmime, tituj e ekspozita. Fakti që ka arritur të bëjë emër dhe të imponohet me artin e tij dhe ndërkombëtarisht, tregon për një talent dhe vitalitet të spikatur artistik. Për t‘i njohur nga afër punët e tij dhe karakteristikat e veçanta të tyre, shërben dhe ekspozita e hapur dje në hollin e Universitetit Evropian të Tiranës.