E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e trafikut të organeve

Dyshimet se shqiptarët e Kosovës kanë vrarë të burgosurit serbë dhe i kanë shitur organet e tyre në vende të tjera, kanë shtuar zërat për hetime të mëtejshme, por hetimi i IWPR arrin në përfundimin se nuk ka prova të reja të mjaftueshme për të nisur një çështje të re.

Serbia ka ngritur temperaturën, duke nisur një hetim, pasi historia e trafikut të organeve dhe vrasjeve u publikua në prill në memoarin e Carla Del Pontes me titull: “Gjuetia: Kriminelët e luftës dhe unë”.

Gazetari amerikan, Chuck Sudetic, bashkautor i librit së bashku me Del Ponten, i tha IWPR, se duhet të nisë një hetim i ri dhe “i besueshëm”.

Human Rights Watch, një organizatë me qendër në Nju-Jork, iu bëri thirrje autoriteteve në Kosovë- e cila deklaroi pavarësinë në shkurt- që t’i hetojnë këto pretendime.

Por, ashtu siç e thekson dhe vetë libri, kur Gjykata e Hagës dhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kryen hetime paraprake, përfshi këtu dhe skenat e supozuara të krimeve, dështuan në grumbullimin e provave të nevojshme për të proceduar më tej.

Sa e mundur është atëherë që kjo çështje të ringjallet në këtë fazë, pothuajse një dekadë pas konfliktit në Kosovë? Dhe, a meritojnë këto akuza hetim të mëtejshëm, duke u bazuar mbi ato çfarë hetuesit e Hagës kanë gjetur, kur kërkuan para gjashtë vitesh?

Dyshime për masakra sistematike

Si prokurore kryesore e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, nga gushti i vitit 1999 deri kur u largua në janar të vitit 2008, Del Ponte menaxhoi disa nga hetimet kyçe ndaj individëve të akuzuar për krime të tmerrshme lufte në konfliktet e ndryshme në Ballkan.

Në librin e saj, ajo tregon sesi i kishin rënë në duar raporte që tregonin se në verën e vitit 1999, anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, transportuan 100 deri në 300 të burgosur në vende të ndryshme në Shqipërinë veriore, ku dhe një numër i paspecifikuar u detyruan më forcë t’iu nënshtrohen operacioneve për t’iu hequr veshkat dhe organe të tjera. Mes të burgosurve kishte serbë, rusë dhe të paktën një shqiptar. Viktimat e planifikuara përzgjidheshin mes të burgosurve më të rinj dhe më të shëndetshëm, ushqeheshin mirë dhe mbaheshin nën monitorim nga mjekët, derisa shkonin në zonën e operimit, e identifikuar si një shtëpi e lyer me të verdhë, pranë qytetit të Burrelit.

“Viktimat që iu ishte hequr veshka rehabilitoheshin dhe ktheheshin sërish në strehën që përdorej si burg, derisa të vriteshin për organet e tjera vitale; në këtë mënyrë, të burgosurit e tjerë në strehë mësonin për fatin e tyre dhe luteshin në terror të plotë që të vriteshin menjëherë”, - thuhet në libër.

Organet më pas transportoheshin jashtë Shqipërisë, nga aeroporti i Rinasit afër Tiranës, për t’u përdorur për transplante jashtë vendit nga pacientë përkundrejt pagesës.

Historia e Del Pontes bazohet në ato që ajo i përshkruan si intervista me dëshmitarë okularë, të realizuara nga “një skuadër e besueshme gazetarësh”, që më pas i janë dorëzuar zyrtarëve të UNMIK.

Një nga informatorët e gazetarëve, për shembull, përshkruan dërgimin e organeve në aeroport; dy gra thanë se kanë ndihmuar për të varrosur një të vdekur jashtë shtëpisë në një varrezë aty pranë.

Del Ponte shërben momentalisht si ambasadore e Zvicrës në Argjentinë dhe qeveria ia ka ndaluar që të flasë në publik në lidhje me librin. Bashkautori, Sudetiç, që ka raportuar për luftërat në Ballkan, është në gjendje të flasë, për shkak se, siç thotë ai: “ky urdhër ndalimi nuk vlen për të”.

I intervistuar nga IWPR ai bëri të qartë se shënimet e tij reflektojnë në një pjesë të madhe këndvështrimet e Del Pontes.

Pavarësisht natyrës shokuese të akuzave të paraqitura në libër, Sudetiç thekson se, fakti që libri deri më tani është publikuar vetëm në italisht, ka shtuar spekulimet.

“Shumë njerëz komentojnë për ‘La Caccia’ [‘Gjuetinë’] pa e lexuar librin…. Shumë njerëz kanë hedhur akuza të rënda, duke u bazuar vetëm në raportimet jokorrekte të shtypit”, - thotë ai.

Për të qartësuar se çfarë thotë libri, Sudetiç i ofroi IWPR versionin anglisht të kapitujve ku flitet për trafikun e organeve.

“Ajo çfarë bën “Gjuetia” është paraqitja e akuzave nga gazetarë të besueshëm, të cilat i janë dërguar Gjykatës së Hagës përmes UNMIK dhe përshkruan provat fizike që janë gjetur në Shqipëri dhe që në njëfarë grade konfirmojnë këto akuza”, - thotë ai.

Stuhia politike

Akuzat kanë ngritur një stuhi të vërtetë ndër politikanët e Ballkanit, grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët, në rajon dhe më tej.

Ato erdhën në një moment të veçantë, kur marrëdhëniet mes Beogradit dhe Kosovës janë përtokë, pas shpalljes në mënyrë të njëanshme të pavarësisë nga Serbia, më 17 shkurt.

Zyrtarët serbë dhe aleatët rusë duan një hetim të ri në lidhje me dyshimet e hedhura në libër.

Radio “B92” në Beograd citoi prokurorin e krimeve të luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviç, duke thënë se po hetonte në lidhje me fatin e serbëve të rrëmbyer në Kosovë dhe se do pyeste prokurorinë shqiptare që të kontrollonte në lidhje me pretendimet e Del Pontes për shtëpinë e verdhë (vendin ku kryheshin ndërhyrjet kirurgjikale), nëse ishte aty, dhe se çfarë kishte ndodhur brenda, por dhe për të gjithë informacionet relevante për këtë histori.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaçi, një ish-komandant i UÇK gjatë konfliktit të viteve ‘98-’99, hedh poshtë akuzat.

Lulëzim Basha, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, vendi ku thuhet se janë kryer krimet, thotë se akuzat janë absurde dhe jo vetëm imorale, por dhe fyese dhe dashakeqe për më tepër.

Hetimet fillestare nuk sollën asgjë

“Gjuetia” tregon sesi Gjykata e Hagës u mor menjëherë me akuzat në vitin 2002-2003, pasi mori informacione nga UNMIK. Pengesa e parë dhe e përhershme ishte se gazetarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, refuzuan që të zbulojnë për UNMIK apo Gjykatën e Hagës identitetin e dëshmitarëve okularë që kishin përdorur si burime.

Në verën e vitit 2002, zyra e Del Pontes, thekson vetë ajo, kishte akoma probleme në grumbullimin e provave të mjaftueshme në cilësinë e duhur për të ngritur padi. Ajo thekson se një nga çështjet e diskutuara në atë kohë ishte, nëse Gjykata e Hagës duhej ta çonte legalisht këtë çështje përpara - për shkak se juridiksioni i saj kohor përfundonte në qershor të vitit 1999, pasi trupat e NATO-s arritën në Kosovë dhe se krimet duket se kanë ndodhur pas kësaj kohe.

Megjithatë, kjo çështje nuk i ndaloi hetuesit e Gjykatës e Hagës dhe UNMIK që të udhëtojnë për në Shqipëri në vitin 2003, kur dhe gjetën shtëpinë e identifikuar si vendi ku bëheshin operacionet dhe gjëra që mund të duken si prova, si gjurmë gjaku dhe objekte mjekësore. Këto gjetje, të kombinuara me raportimet e gazetarëve, sipas Del Pontes, ishin “shpresëdhënëse”.

Siç dhe thekson ajo: “Historitë e të burgosurve që vriten nga trafikantët e organeve ngrihen në shumë zona me konflikte, por rrallë ka prova shumë të forta për t’i shkëputur ato nga mbretëria e miteve urbane”.

Provat e mbledhura nga ekipi ishin të pamjaftueshme. Kishte shumë hendeqe - dështimi për të gjetur varre, për të identifikuar gjakun e gjetur si njerëzor, për të bindur gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre, ose dhe aftësia për të zbuluar dëshmitarë në mënyrë të pavarur nga raportimet e gazetarëve.

Kjo shoqërohej me pyetjet në lidhje me mandatin e Gjykatës së Hagës në lidhje me krimet dhe vendin e kryerjes së tyre, pra një shtet tjetër, siç ishte Shqipëria.

“Kështu që në fund, hetuesit arritën në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vazhduar më tej”, - thotë Del Ponte.

“Pa burimet ose pa një mënyrë për t’i identifikuar ose gjetur ata, pa trupat dhe pa prova që lidhin të akuzuarit në nivele të larta me këto krime, të gjitha rrugët për hetim ishin të mbyllura. Tani është në dorë të UNMIK ose dhe të autoriteteve lokale në Kosovë dhe Shqipëri, ndoshta dhe në bashkëpunim me agjencitë ligjore të Serbisë që t’i hetojnë këto dyshime dhe, nëse është e nevojshme, të procedojnë ligjërisht.”

Duke folur pas publikimit të librit të Del Pontes, përfaqësuesit e tribunalit të Hagës insistojnë se dyshimet për trafik organesh nuk sollën asgjë për shkak të mungesës së provave.

Siç dhe deklaroi zëdhënësja e këtij tribunali, Nerma Jelaçiç, gjatë një konference për shtyp më 16 prill: “Asnjë provë për të mbështetur këto dyshime nuk u soll përpara gjykatësve të tribunalit.”

Në të njëjtën konferencë për shtyp, Olga Kavran, zëdhënëse për Zyrën e Prokurorit, tha: “Në lidhje me akuzat për trafik organesh në vitin 2002-2003, UNMIK informoi Zyrën e Prokurorit se kishte dyshime për rrëmbime nga Kosova të personave dhe dërgimin e tyre në Shqipëri, ku dhe iu janë hequr organet. Ne mendojmë se autoritetet serbe ishin në dijeni të këtyre akuzave që në atë kohë.”

Kavran theksoi se: “në përfundim të hetimeve të kryera nga Zyra e Prokurorit së bashku me UNMIK dhe autoritetet shqiptare, prokurorët e Hagës nuk arritën të vendosin në baza të qëndrueshme dyshimet dhe nuk kishin mundësi për të vazhduar më tej në përputhje me juridiksionin tonë. Çështja iu la autoriteteve kompetente - UNMIK dhe autoriteteve shqiptare.”

Florence Hartmann, një ish-zëdhënëse për Gjykatën e Hagës, i tha IWPR se nuk u nis kurrë një hetim zyrtar, për shkak se përfundimet paraprake të vëzhgimit nuk e meritonin një gjë të tillë.

Ajo theksoi se hetimi paraprak u krye në rregull dhe se nuk pati pengesa administrative gjatë rrugës dhe se hetuesit e Hagës kishin patur bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe prokurorit lokal në Burrel. Hartmann tha se përfaqësuesit e Hagës nuk i takuan kurrë burimet, për të cilat flisnin gazetarët e besueshëm. Gazetarët nuk iu kishin ofruar kontakte ose emra, pasi misioni në Shqipëri nuk dha rezultat.

Ajo shkon më tej në qëndrimet në gazetën franceze “Le Temps”, duke thënë se akuzat për trafik ishin të papërgjegjshme dhe jodinjitoze.

“Duke përzier fushat, duke vënë pranë njëra-tjetrës krimet që kanë shkuar në gjyq dhe teoritë e paverifikuara nga dëshmitarë, për të cilët Del Ponte nuk di asgjë, madje as identitetin e tyre, përzien konfuzionin me faktet dhe rrezikon të nxisë të gjitha llojet e revizionizmit”, - thotë ajo.

I intervistuar nga IWPR, Sudetiç thotë se, pasi Haga e la çështjen, UNMIK dhe Shqipëria bënë shumë pak për të ndjekur akuzat.

“Haga nuk hetoi për shkak të kufizimeve ligjore. Autoritetet kosovare, përfshi UNMIK dhe autoritetet shqiptare mund të kishin hetuar më tej. Asgjë efektive nuk është bërë në pesë vite”, - thotë ai.

Kur IWPR e pyeti UNMIK se çfarë kanë bërë për këtë çështje, zëdhënësi Alexander Ivanko tha me anë të një emaili: “Me aq sa di unë, nuk ka prova të mjaftueshme për të nisur hetimin. Del Ponte iu referohet fjalëve të dëgjuara, por asnjë dokumenti dhe asnjë dëshmie”

Koha për një hetim të ri?

Sipas Sudetiç: “Është koha për një hetim të besueshëm, një që do mblidhte informacion nga policia serbe, autoritetet shqiptare dhe autoritetet në Kosovë me një përbërës ndërkombëtar që do të garantonte se gjërat do të kryhen me besim të plotë. Kjo është ajo që implikon “La Caccia”.

“Nëse ‘La Caccia’ arrin të stimulojë opinionin dhe të nxisë një hetim të besueshëm - pavarësisht se cilat janë përfundimet - do bëjë një shërbim shumë të madh.”

Në këtë pikë, është e paqartë si do ndodhë një gjë e tillë. Strategjia e Hagës parashikon se ajo nuk mund të nisë më hetime të reja.

Autoritetet në Kosovë dhe në Shqipëri - që në fakt nuk e penguan hetimin fillestar të Hagës - insistojnë se akuzat janë të pabazuara.

Shkëlzen Maliqi, drejtues i Institutit për Studime Sociale në Prishtinë, i tha IWPR se këto akuza janë thjesht akuza, të bazuara në thashetheme të pastra, të cilat mund të vijnë nga propaganda serbe.

“Nuk jam i habitur, për shkak se në të kaluarën kemi dëgjuar histori të tilla plot me fantazi. Por fakti shqetësues është se ish-prokurorja e Hagës ka publikuar akuza kaq të pabazuara. Kjo tregon se Del Ponte përpiqet në mënyrë artificiale që të shpërndajë fajin për krimet e luftës në mënyrë të barabartë mes serbëve dhe shqiptarëve. Fabrikime të tilla rrezikojnë të minojnë besueshmërinë e Hagës.”

Në Kosovë, UNMIK po përgatitet të largohet dhe Bashkimi Evropian do të nisë muajin tjetër EULEX, Misionin për Zbatimin e Ligjit, që do të vazhdojë praninë ndërkombëtare aty. Misioni do të përfshijë dhe një komponent policor, por është e paqartë, nëse mandati i tij do ia lejojë të nisë hetimin për akuzat për trafik organesh.

Serbia kërkon prova të reja

Vetëm autoritetet në Beograd besojnë se hetimet e mëtejshme për këtë çështje janë të nevojshme. Por ata nuk do të kenë kollaj akses në prova dhe dëshmi potenciale në Kosovë dhe Shqipëri për të hedhur dritë mbi këtë çështje.

Bruno Vekariç, zëdhënës për zyrën serbe të Prokurorit për Krime të Luftës, i tha IWPR se autoritetet hapën hetimet, sapo mësuan për çështjen në fjalë.

“Më shumë se dhjetë dëshmitarë që mund të ofrojnë informacion, janë intervistuar që atëherë”, - tha ai.

Vekariç shtoi se gjatë një takimi së fundi me shefin e ri të prokurorëve në Hagë, Serge Brammertz, hetuesit serbë kanë kërkuar shpjegime shtesë dhe dokumentacion që lidhet me këtë çështje.

E përditshmja e Beogradit, “Blic”, raportoi javën e kaluar se një përfaqësues i prokurorit serb për krime lufte takoi Del Ponten në Buenos Aires dhe tha se ajo kishte pranuar të fliste me hetuesit serbë për këtë çështje, nëse Ministria zvicerane e Punëve të Jashtme i jepte leje.

“Të gjitha institucionet në vend me juridiksion për t’u marrë me këtë çështje, po bëjnë ç’është e mundur për të patur rezultate”, - tha Dushan Petroviç, ministër i Drejtësisë, i cituar nga radio “B92”, më 19 prill.

Deri më tani, zyrtarët serbë duket se nuk kanë ndonjë provë solide.

“Ka informacione se afro 400 njerëz janë mbajtur në Burrel, në Shqipëri, por nuk kemi prova për këtë”, - tha për IWPR Gvozden Gagiç, këshilltar i kreut të Komisionit Evropian për Personat e Humbur.

Zyrtarët serbë theksuan se rreth 2000 persona janë të humbur që nga periudha e konfliktit me Kosovën dhe prej tyre 550 janë serbë dhe joshqiptarë.

Pse tani?

Që kur Del Ponte thotë se një grup gazetarësh të besueshëm zbuluan historinë për trafikun e organeve, mbulon me konfuzion faktin se nuk ka patur raporte të mediave në lidhje me çështjen.

Çështja që ngelet në mendjet e shumë vëzhguesve është se pse Del Ponte ka zgjedhur t’i publikojë këto akuza tani, veçanërisht kur zyra e saj dështoi në nisjen e një hetimi zyrtar.

Gjithashtu, nuk është e qartë, duke patur parasysh autoritetin e saj gjatë kohës kur ishte prokurore, se pse nuk e përdori atë për të bërë presion ndaj autoriteteve shqiptare dhe kosovare për të rinisur hetimet.

Ashtu siç dhe Hartmman i tha IWPR: “Askush nuk ka raportuar për këto akuza, as gazetarët që ishin në kontakt me burimet. Ata do të kishin shkruar, nëse do të kishin gjetur prova të qëndrueshme nga burimet e tyre. Asgjë nuk do i ndalonte ata.”

Dyshime për mundësitë mjekësore

Një nga objeksionet ndaj kësaj historie është se operacione të tilla kërkojnë qendra të posaçme të teknologjisë së lartë dhe një numër shumë të madh stafi të trajnuar mirë që të dalin me sukses.

Kjo besohet dhe nga zyrtarët serbë që dyshojnë se kjo çështje mban ujë.

“Ekspertët mjekësorë theksojnë se duhen të paktën 40 njerëz për të kryer operacione të tilla në kushte të jashtëzakonshme mjekësore”, - thotë Vekariç.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Zoran Stankoviç, një ekspert mjeko-ligjor që ka ekzaminuar mbi 50 trupa të zhvarrosur në Kosovë, thotë se nuk ka gjetur kurrë gjurmë të heqjes së organeve në trupat më të cilët ka punuar.

“Operacione të tilla duhet të kryhen nga një skuadër ekspertësh në kushte shumë sterile dhe në një sallë operacioni. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë është e përfshirë një skuadër ekspertësh shumë profesionale dhe e mirëtrajnuar”, - thotë Stankoviç për IWPR.

“Një institucion mjekësor që merr organe njerëzore për transplant duhet të shënojë që i ka marrë ato. Nëse organet transportohen me helikopter ose aeroplan, fluturimi i tyre shënohet gjithashtu. Disa gjurmë duhet të ekzistojnë. Organet njerëzore transportohen në kushte të veçanta dhe në një kohë shumë të limituar”, - thotë Stankoviç.

Ekspertët mjekësorë në Gjenevë, të intervistuar nga IWPR, konfirmojnë një gjë të tillë dhe shprehin dyshime, nëse Shqipëria ka ambiente të tilla dhe personelin e duhur për të kryer një gjë të tillë.

Por Sudetiç thotë se edhe në këtë drejtim është hetuar.

“Në libër nuk flitet për operacione që kryhen nga një personel mjekësor pa eksperiencë”, - thotë ai.

“Gazetarët kanë bërë të njëjtat pyetje për transplantet. Historia nuk do të ishte publikuar kurrë, nëse ekspertët nuk do të thonin se një gjë e tillë është e mundur.”

Përplasjet politike të nxitura nga akuzat e ngritura nga libri i Del Pontes pritet të acarohen së shpejti nisur dhe nga konfrontimet mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, për sa kohë hetuesit serbë nuk do sjellin dëshmitarë dhe prova të qëndrueshme, duket se pretendimet për trafik organesh nuk do merren përsipër nga ndonjë gjykatë kombëtarë ose ndërkombëtare.

*

Institute for War and Peace Report.

Nedim Saraç, një gazetar boshnjak me qendër në Gjenevë dhe Sarajevë dhe Aleksandar Rokniç, një gazetar i trajnuar nga IWPR nga Beogradi, kontribuan për këtë raport.

Titulli është redaksional

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›