E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohet numërtimi i legjislaturave të Kuvendit

13-11-2012 / Gazeta 55

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli u mblodh sot Këshilli i Legjislacionit, i cili shqyrtoi propozimin e projektvendimit “Për numërtimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë”.

Kryetarja e Kuvendit, iniciatore e kësaj nisme, tha se hartimi i këtij projektvendimi është produkt i një pune dy vjeçare me historianë dhe konstitucionalistë ndërsa vuri theksin tek rëndësia që ka numërtimi i legjislaturave të Kuvendit në respekt të zhvillimeve historike, insititucionale dhe kushtetuese që kanë ndodhur në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit njohu anëtarët e Këshillit me përmbajtjen e projektvendimit duke theksuar se periudha e parë prej pavarësisë së shtetit shqiptar deri në vendosjen e regjimit komunist nuk është njohur institucionalisht qoftë edhe për arsye historike përsa i takon funksionimit të organit përfaqësues të popullit. Topalli tha se nuk ka një qasje të tillë as për periudhën 1912-1920, as për periudhën 1921-1924 apo për periudhat vijuese të Republikës (1924-1928) apo asaj të Mbretërisë Shqiptare (1928-1939), megjithëse janë miratuar akte themelore të shtetit (Statute e Kushtetuta) mbi të cilat kanë funksionuar organet përfaqësuese të popullit dhe institucionet e tjera të larta të shtetit.

Është momenti që në historinë e zhvillimit të parlamentarizimit shqiptar në këtë përvjetor të shekullit të pavarsisë të Shqipërisë të evidentojmë të gjitha etapat e funksionimit të organeve përfaqësuese të popullit që prej fillesave të tyre, pavarsisht se në disa periudha ato nuk kanë funksionuar formalisht me legjislatura të rregullta.

Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje praktikën e ndjekur nga disa shtete europiane, në të cilat numërtimi i legjislaturave ka marrë si kriter thelbësor periudhat që kanë kaluar këto shtete sidomos në kuadrin kushtetues të tyre. Miratimi i kushtetutave të reja ka sjellë fillimin e një numërtimi të legjislaturave në parlamentet e këtyre vendeve dhe në të gjitha periudhat e historisë së këtyre shteteve ka një nuëmrtim të legjislaturave të parlamenteve.

“Është e nevojshme që numërtimi i legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë të bëhet mbi të njëjtat kritere dhe baza sikurse edhe në vendet e tjera europiane ku në themel është miratimi i kushtetutave të reja. Me miratimin e këtij vendimi i bashkohemi traditës së shteteve demokratike edhe përsa i takon numërtimit të legjislaturave të parlamenteve të tyre”- tha Kryetarja e Kuvendit.

Pas shqyrtimit të kësaj nisme, Këshilli vendosi kalimin e këtij projektvendimi për miratim në seancë plenare. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›