Manjani: Shteti të garantojë rendin publik

Partia Socialiste deklaroi sot se rendi në vend nuk sigurohet më nga ana e qeverisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ylli Manjani, theksoi sot se me gjithëse rendi publik vazhdon të goditet rëndë, Berisha emëron në krye të policisë persona me karrierë të spikatur në vjedhjen e votave dhe persona me precedentë të njohur në shkeljet e ligjit në ketë vend. "Ngjarja më e fundit ku njëri prej gjyqtarëve të gjykatës së Lartë qëllohet me armë, është shprehja më e rëndë e kapitullimit të shtetit para krimit. Krimi e bëri këtë gjë sepse siguria e shtetit politik të Berishës bashkë me autorët e krimeve ka ikur në drejtim të paditur. Kjo ngjarje tepër e rëndë, për fat të keq nuk erdhi pa paralajmërim. Disa gjykatës të shkallëve më të ulëta kanë kohë që kërcënohen jo vetëm nga krimi por edhe nga qeveria"-theksoi Manjani. Në emër të PS-së, Manjani i ka bërë apel të gjithë institucioneve të shtetit, të marrin përgjegjësitë ligjore dhe të garantojnë rendin dhe sigurinë në vend.