E Diel, 1 Nëntor 2026

Plas lufta e sondazheve, PS dhe PD nxjerrin veten fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit

28 qershori, LSI merr 37 deputetë
Ditën e djeshme partitë politike filluan fushatën e sondazheve duke përcaktuar që tani se kush do të jenë fituesit e zgjedhjeve të ardhshme elektorale. Ditë më parë televizioni Top-Chanel  lajmëroi se do të publikojë një sondazh për të cilin është kontraktuar Zogby, nga televizion. Partia Demokratike duke qenë se e ka të qartë se kush do të jetë ky rezultati i sondazhit të porositur nga burri i vartëses së kryesocialistit Rama, porositi qendrën për studime humanistike Gani Bobi, e cila publikoi ditën e djeshme rezultatet e sondazhit. Po ditën e djeshme një tjetër sondazh është publikuar nga LSI i cili sillte një tjetër rezultat nga ai i Gani Bobi. Pra, dita e djeshme ishte paralajmërimi i agresivitetit që do të shoqërojë fushatën zgjedhore, ku partitë do të shtojnë dozat e skemave manipulative siç është rasti i sondazheve fantazëm.   Në fakt nisja e lojës së sondazheve, duket se është një aperturë defiçente e fushatës nga ana  e partive politike, të cilat nëpërmjet sondazheve të stisura duan të induktojnë në memorien e votuesve psikologjinë e fituesit e cila mund të krijojë lëvizje të caktuara të elektoratit të paqëndrueshëm i cili mund të jetë determinant në momentin e votimit. Sipas sondazhit të Gani Bobi, Partia Demokratike llogaritet të jetë forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, me rreth 49 % të votave të elektoratit. Ky sondazh, sipas organizatorëve,  është bërë gjatë muajit dhjetor dhe  bazohet në 747 anketime të kryera në të gjithë vendin.  Qendra për studime humanistike Gani Bobi me seli në Prishtinë e mbështetur nga Agjencia amerikane Penn Shon Berland është e specializuar në fushën e sondazheve jep përgjigjet pasi ka përsëritur tre herë të njëjtën pyetje, për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme. Drejtori i qendrës, Shkëlzen Maliqi tha se marzhi i gabimit llogaritet, në kufijtë 2 deri 4 përqind dhe është më i lartë tek partitë e vogla. Megjithë diferencën prej gati 12 % që ka Partia Demokratike në favor ndaj partisë socialiste asnjë nga forcat e mëdha e vetme, nuk mund të formojë qeverinë. Madje, sipas të njëjtit sondazh, as Partia Socialiste bashkë me LSI dhe G 99 nuk do të mund të kalonin këtë kufi. Madje të marra së bashku ato llogariten në kufijtë e 37. 3%. Një moment që mund të lexohet se koalicionet do të jenë vendimtarë për qeverinë e re. Gani Bobi ofron dhe anketimin publik mbi qëndrimin ndaj partive politike. Partia Demokratike kryeson me 53.7 përqind, pasuar nga PS me 46.3 në vend të tretë LSI dhe më pas G 99. Në qëndrimin ndaj liderëve dukshëm dallon Presidenti Topi në 76.7 përqind pasuar nga kryetari i PS Edi Rama me 53.7, më pas kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli me një diferencë të vogël me kryeministrin Berisha, kryetari i LSI-së Ilir Meta pozicionohet i pesti dhe me pas ish-kryetari i PS Fatos Nano. Por pyetjes se cili nga këta politikanë mund të ishte kryeministri më i mirë, të anketuarit i përgjigjen në favor të Edi Ramës me 35.1 përqind, menjëherë më pas me 0.2 përqind më pak kryeministri Berisha dhe vetëm 9.9 përqind janë në favor të Ilir Metës si kryeministër i vendit.  Ndërkohë që sipas Eduart Zaloshnjës i cili pretendon se është ekspert i sondazheve, lidhur me sondazhin e botuar nga "Gani Bobi", kampioni që është zgjedhur për këtë sondazh është i vogël, është vetëm 747 persona. "Duke u nisur nga eksperienca ime mendoj se marzhi i gabimit është i madh për këtë sondazh, mund të variojë nw + -5%. Sa i përket partive të vogla, ky sondazh nuk vlen, sepse janë pyetur shumë pak persona", tha ai.  Përsa i përket sondazhit që do të publikohet ditën e nesërme nga Zogby, Zaloshnja tha se "Zogby, është një nga njerëzit më të aftë të sondazheve politike, ka reputacion, procedurat do jenë strikte shkencore, por varet se kush do ta zbatojë në terren, sa ekperiencë kanë ata".

Email This Klikime: 514

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›