Bakojanis: Greqia do të ratifikojë Shqipërinë në BE
Greqia mbështet Shqipërinë në proceset e saj integruese, lëvizjen e lirë të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, ndërsa lajmëron se brenda një jave do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit tonë në NATO. Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, njëkohësisht kryetare e radhës e OSBE-së, njoftoi dje në Tiranë gjatë takimit me homologun shqiptar, Lulzim Basha se "Parlamenti grek do të ratifikojë gjatë javës që vjen Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO". Ajo u shpreh optimiste se në vitin 20014, Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Të dy ministrat e jashtëm deklaruan se tashmë Greqia dhe Shqipëria po përjetojnë një situatë të marrëdhënieve të miqësisë së mirë. Sipas znj. Bakojanis, Shqipëria ka bërë progres në drejtim të reformave, ndaj ajo shprehu mbështetjen e Greqisë për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të vendit tonë. “Shqipëria ka punuar dhe ka arritur kërkesat euroatlantike dhe për këtë arsye jam e lumtur të informoj sot se Parlamenti grek do të ratifikojë së shpejti, madje javës tjetër, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dua të theksoj gjithashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera, ndërsa vlen të theksoj se ne nënshkruam edhe marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë. Unë dua të them se ne e mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ne jemi pro liberalizimit të vizave për Shqipërinë”, - tha znj. Bakojanis. Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë bëri të qartë se Greqia mbështet liberalizimin e regjimit të vizave të qytetarëve shqiptarë, si dhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian". Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Lulzim Basha, znj. Bakojanis vuri në dukje: "Greqia mbështet procesin e liberalizimit të vizave, pasi për ne është shumë e rëndësishme që të rriten kontaktet njerëzore sa më shpejt të jetë e mundur". Lidhur me perspektivën shqiptare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, ministrja e Jashtme greke pohoi: "Ky vendim është marrë edhe nga qeveria greke në samitin e Selanikut, pra që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t'i përkasin Bashkimit Evropian, si pjesë integrale e Evropës". Pyetjes nëse do të mund të realizohet ky objektiv deri në vitin 2014, znj. Bakojanis iu përgjigj duke e konsideruar këtë "si një pikëpamje optimiste". Por, sipas saj, "BE-ja duhet të merret para së gjithash me disa çështje të hapura si ratifikimi i Traktatit të Lisbonës". Kryediplomatja greke vuri në dukje se dy vendet tona, "Shqipëria dhe Greqia janë fqinj të ngushtë dhe lidhjet e tyre janë bërë më të fuqishme nga domosdoshmëria për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe të përditshme gjatë punës së tyre për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Si kryetare e radhës e OSBE-së, znj. Bakojanis vuri në dukje: "Turi i zhvilluar në vendet e Ballkanit Perëndimor synon të dëshmojë se fqinjësia jonë do të jetë prioriteti i OSBE-së, e cila është në një pozitë unike për të ndihmuar rajonin në rrugën drejt integrimit euroatlantik". "Unë u informova me kërkesën e Shqipërisë për të marrë kryesinë e OSBE-së në vitin 2012 dhe besoj se ky është një qëllim i arritshëm, në rast se Shqipëria do të ecë përpara në rrugën e saj të reformave", - tha znj. Bakojanis.
Shqipëri-Greqi, nënshkruhen “varrezat e ushtarëve”
Dy ministrat e jashtëm, ai shqiptar Lulzim Basha dhe ajo greke znj. Dora Bakojanis, nënshkruan dje marrëveshjen dypalëshe për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Duke u ndalur te marrëdhëniet greko-shqiptare, ministrja Bakojanis vlerësoi progresin e dëshmuar, veçanërisht gjatë viteve të fundit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore. "Me nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, ne po mbyllim një çështje të rëndësishme humanitare, atë të varrezave të ushtarëve grekë. Gjithashtu, Shqipëria dhe Greqia kanë një partneritet të rrallë dhe këtu i referohem sidomos pakicës etnike greke në Shqipëri, e ardhmja e së cilës varet nga respektimi i të drejtave të njeriut në vend, si dhe zhvillimit të të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi", - tha znj. Bakojanis.
“Ligji grek për emigracionin, më i miri”
Greqia e konsideron si më të mirin e mundshëm ligjin aktual për emigracionin. Ministrja greke, Dora Bakojanis, deklaroi dje në Tiranë se "ligji që po zbaton Greqia për legalizimin e emigrantëve është mjaft i përmirësuar në krahasim me ligjin e mëparshëm”. Ajo bëri të ditur se do të merren në konsideratë edhe përpjekjet që po bën Shqipëria me kartat e reja të identitetit dhe pasaportat biometrike. "Lufta kundër burokracisë nuk është vetëm një problem shqiptar, por është edhe një problem grek dhe ne po mundohemi të marrim masat për të evituar burokracinë dhe ta bëjmë më të lehtë jetën për këdo. Për sa i përket çështjes së pronave të shqiptarëve në Greqi, mund të them se në shtetin grek ka një sistem drejtësie dhe kushdo që ka pretendime mund t'u drejtohet gjykatave", - theksoi znj. Bakojanis.
“Për Kosovën në OSBE vendosin 56 anëtarët”
Që Kosova të bëhet anëtare e OSBE-së, duhet të vendosin 56 vendet anëtare të kësaj organizate. Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me pengesat që po ndesh Kosova për t'u bërë anëtare e OSBE-së. Sipas saj, "për t'u bërë anëtare e OSBE-së kërkohet miratimi i 56 vendeve anëtare, pasi kjo organizatë punon mbi bazën e konsensusit". "Kjo do të thotë që në një të ardhme të afërt, do të jetë shumë e vështirë që të pranojmë ndonjë vend të ri, sepse siç e dini, ka pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën. Për momentin nuk shoh ndonjë mundësi për konsensus", - tha znj. Bakojanis.
Berisha, Bakojanisit: Do të bëjmë zgjedhje të lira
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje kreun e presidencës së radhës së OSBE-së, znj. Dora Bakojanis, për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Berisha gjatë takimit që zhvilloi dje me kryediplomaten greke, i kërkoi asaj që të ndikojë për të sjellë në Shqipëri sa më shumë vëzhgues. Znj. Bakojanis shprehu sigurinë e saj se qeveria shqiptare do të zhvillojë zgjedhje të mira e të ndershme. Ministrja Bakojanis e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian vlerësojnë maksimalisht atë çka qeveria shqiptare ka bërë dhe po bën për të reformuar dhe ndryshuar vendin, si dhe për integrimin e shpejtë në NATO dhe BE. Më tej, të dyja personalitetet vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë si të shkëlqyera. Ministrja Bakojanis siguroi Kryeministrin Berisha se Greqia do të ratifikojë gjatë javës që vjen Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha garantoi znj. Bakojanis se investimet greke kanë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare. Ministrja e Jashtme greke i bëri me dije Kryeministrit se qeveria greke është shumë e interesuar të nxisë investimet greke në Shqipëri dhe në këtë kontekst, ajo tha se programi i ndihmës ekonomike greke do të financojë, përmes një granti, të gjitha rrugët rurale që lidhin rrugën Konispol - Sarandë me komunat përreth. Lidhur me investimet greke në Shqipëri, Kryeministri siguroi se ato kanë përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare. Nga ana e saj, zonja Bakojanis informoi Kryeministrin se qeveria greke është shumë e interesuar të nxisë investimet greke në Shqipëri dhe në këtë kontekst, ajo tha se "programi i ndihmës ekonomike greke do të financojë, përmes një granti, të gjitha rrugët rurale që lidhin rrugën Konispol - Sarandë me komunat përreth".
Vizat, Topi: Na duhet angazhimi konkret i Greqisë
Për çështjen e liberalizimit të vizave, kryetari i shtetit, Bamir Topi, kërkon angazhimin konkret të Greqisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave ministren e Jashtme të Greqisë, Teodora Bakojanis, si dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së saj në vendin tonë me cilësinë e kryetares së radhës të OSBE-së. Z. Topi i bëri të ditur znj. Bakojanis se “ne synojmë dhe një bashkëpunim për liberalizimin e vizave brenda rajonit dhe në kontekst të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave me BE-në, do të vlerësonim angazhimin konkret të Greqisë”. Gjatë bashkëbisedimit me ministren e Jashtme të Greqisë, Bakojanis, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për ratifikimin nga Parlamenti i vendit fqinj të MSA-së së Shqipërisë me BE-në. Pasi vuri në dukje se mbështetja e miqve dhe partnerëve tanë për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO përbën një element tjetër që përforcon kredibilitetin ndaj Shqipërisë, kryetari i shtetit shprehu besimin në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut nga Greqia. Gjatë bisedës, duke bërë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të zhvillimeve më të fundit në vend, Presidenti i Republikës u ndal më hollësisht në përpjekjet, sidomos për përfundimin e reformës zgjedhore, kryerjen me sukses të reformës në drejtësi, si dhe për luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës, trafiqeve dhe korrupsionit. Z. Topi u shpreh: “Ne besojmë se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, që do të mbahen në qershor 2009, do të jenë të lira e të ndershme duke pasur parasysh edhe krijimin e infrastrukturës së duhur zgjedhore”.