Reporteret e KE me Topallin: Kujdes zgjedhjet, terhiquni nga dosjet

Tiranë, 10 shkurt, 09:43, NOA - Dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që ndodhen prej ditës së djeshme në Tiranë, kanë zhvilluar në mëngjesin e sotëm një takim të posaçëm me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Sipas burimeve për agjencinë e Lajmeve NOA, takimi ka qenë i rezervuar dhe është zhvilluar me dyert të mbyllura, pa praninë e medieve.
Por ato pohojnë se kryefjala e tij ka qenë çështja e zgjedhjeve si edhe ajo e ligjit të dosjeve.
Reporterët kanë kërkuar nga kryeparlamentarja Topalli që të garantohet funksionimi i gjithë kuadrit të domosdoshëm për procesin e ardhshëm zgjedhor, në mënyrë që në 28 qershor Shqipëria të realizojë zgjedhje të lira dhe me standarde.
Ndërsa në lidhje me procesin e hapjes së dosjeve, reporterët e Këshillit të Evropës kanë kërkuar që të bëhet kujdes me aplikimin e tij, pasi ai paraqet probleme ligjore dhe kushtetuese.
Të mos harrojmë se ka qenë pikërisht kryeparlamentarja Topalli e cila kërkoi zëvendësimin e ish-përfaqësuesit shqiptar në organizmin e KE-së, Aleksandër Biberaj, pas debateve për çështjen e dosjeve.
Reporterët evropianë i qëndrojnë idesë se ky ligj nuk duhet të gjejë zbatim pa vendosur më parë Gjykata Kushtetuese mbi 3 ankimimet që asaj i janë dorëzuar lidhur me këtë ligj.
Nërkaq, bëhet e ditur se tre reporterët sot kanë një axhendë të ngjeshur takimesh për të zhvilluar me përfaqësues të tjerë politikës shqiptare.
Bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se ata kanë rezervuar takime edhe me Presidentin e Republikës Topi si edhe me kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo kryeprokuroren Ina Rama.
Takimet do zhvillohen nën objektivin e mbledhjes së të dhënave për mënyrën sesi është organizuar vendi në aplikimin e ligjit të ri të dosjeve.
Nga ana e tyre, edhe gjatë takimeve të djeshme që kanë zhvilluar me kryeopozitarin Edi Rama apo ish-përfaqësuesin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Aleksandër biberaj, ata i kanë qëndruar idesë se duhet patjetër që të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e më pas të vendoset nëse do fillojë zbatimi i ligjit të dosjeve apo jo.
n.e/NOA