Aspirata – Shqipëria, vend i zhvilluar brenda vitit 2017

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Lezhë-Rrilë-Shënkoll
Është inauguruar dje nga kryeministri Sali Berisha rruga Lezhë- Rrilë- Shënkoll, një investim i qeverisë e cila arrin vlerën 2 milionë euro. Rruga, e ndërtuar sipas standardeve më të mira evropiane, i shërben një komuniteti prej 20 mijë banorësh, nga bashkia e Lezhës dhe komunat përreth. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij ka theksuar se ndërtimi i rrugës Lezhë – Rrilë – Shënkoll është dëshmi e përpjekjes së përbashkët të mazhorancës për të ndërtuar në çdo skaj të vendit Evropën që ëndërrojmë.
Me moton Shqipëria vend i zhvilluar”, kreu i qeverisë, Berisha u shpreh se, “rruga dhe sistemi i ri rrugor që ne inaugurojmë sot është dëshmi e përpjekjes sonë të ndershme, të përbashkët, për të ndërtuar në çdo skaj, në çdo qoshe, në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo qytet, Evropën që ne ëndërrojmë. Rruga e sistemi i ri rrugor që ne ndërtojmë përbën elementin më themelor në përpjekjen tonë për të realizuar një ëndërr fisnike, një ëndërr të merituar plotësisht. Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e bukur, më e denjë, më e merituar për çdo shqiptar. Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e guximshme, por që kam bindjen më të madhe e më të plotë se ne, së bashku, këtë ëndërr do ta bëjmë realitet deri në vitin 2017”, theksoi në fjalën e tij, Berisha.
“Unë ju garantoj se këto vite ne i kemi përqendruar fondet, më shumë se çdo vend tjetër, në rrugë dhe kemi bërë shumë mirë sepse rrugët janë zhvillim, janë lehtësi e madhe për ju, janë urbanizim, janë dinjitet. Rrugët bëjnë që shqiptarët ta duan më shumë e të ndjehen më krenar me vendin e tyre. Rrugët bëjnë të mundur që Shqipëria të përballojë një fluks prej miliona turistësh”, nënvizoi me tej kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se pas infrastrukturës rrugore orientimi drejt drurëve frutorë dhe arrorë janë projektet më të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë në vend.
“Projekti i dytë i madh kombëtar do të jetë vaditja dhe subvencionimi masiv për çdo dru frutor që fermerët do të mbjellin. Ne do ta bëjmë Shqipërinë të njohur në Evropë dhe në mbarë botën për prodhimet e saj, si një dëshmi kjo e potencialeve të mëdha që ka ky vend, si një vendosmëri e jona për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga varfëria e skamja, si një vendosmëri e jona për të ndërtuar për vete dhe fëmijët tanë Shqipërinë vend i zhvilluar”, theksoi më tej kreu i qeverisë, Berisha.
Më tej gjatë fjalës së tij nga qyteti i Lezhës, kryeministri Berisha u ndal dhe në zhvillimin e turizmit në vend që, sipas tij, brenda një periudhe të shkurtër është shndërruar në një degë kryesore të ekonomisë.
“Këto ditë po shihja statistikat më të fundit lidhur me të ardhurat për frymë në Shqipëri. Një nga këto institucione, ndër më seriozet në botë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftonte se të ardhurat për frymë në Shqipëri janë 7400 dollarë”, nënvizoi shefi i ekzekutivit Berisha.
Po ashtu kryeministri ri-solli në vëmendje se në vitin 92’ të ardhurat ishin 204 dollarë për frymë dhe Shqipëria renditej ndër 3 - 4 vendet më të varfra të planetit.
“Sot, pas 20 vitesh, ne gjejmë se, me lumenj djerse, mundi, sakrifica, me punën e vetëmohimin e fëmijëve tanë, e bijve tanë në Greqi, në Itali e kudo në Europë, ky vend ka realizuar rritjen më të madhe të të ardhurave në historinë e këtij kontinenti”, u shpreh kreu i mazhorancës Berisha. Duke iu referuar turizmit në vend , kryeministri Berisha e ka krahasuar Shqipërinë me një Zvicër të vërtete me det.
“Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme që, me mundin e djersën tuaj dhe reformat e thella e qeverisë, të bëhet një Zvicër e vërtetë me det. Potenciali i saj turistik është potenciali më i madh që mund të ketë një vend. Janë rreth 400 kilometra bregdet, nga më të bukurat në Mesdhe, për t’u zhvilluar. Janë masivet malorë, ndër më mahnitësit në Europë, me potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por mbi të gjitha është mikpritja, shpirti juaj i bardhë, shpirti i bardhë i shqiptarëve që ka bërë që në një kohë rekord, prej 6 vjetësh, në këtë vend turizmi të shndërrohet në degë kryesore të ekonomisë, që numri i turistëve të rritet nga 300 mijë në 2004 në 3.5 milionë në vitin e kaluar dhe këtë vit të shpallemi destinacioni kryesor turistik i planetit”, ka theksuar me tej kryeministri Berisha.
Sipas tij, “Potencialet tona janë të jashtëzakonshme. Turizmi është vetëm njëri aspekt, por Shqipëria ka pasuri të pafundme natyrore. Pasuria kryesore e saj janë ujërat që burojnë nga të katër anët dhe që e bëjnë këtë vend një Norvegji të vërtetë të gadishullit të Ballkanit. Ujërat ne po i shndërrojmë në hidrocentrale dhe që së shpejti Shqipëria do të jetë vendi i parë me energji 100 përqind të rinovueshme. Lumenjtë, përronjtë, burimet e saj do të shndërrohen në një pasuri të madhe, Shqipëria do të jetë superfuqi energjetike në rajon. Ne do të realizojmë ëndrrën tonë dhe do të bëjmë që Shqipëria të jetë vend i zhvilluar, sepse ne jemi njerëz që punojmë, jemi njerëz që sakrifikojmë, jemi njerëz që pranojmë sakrificën më shumë se kushdo tjetër për një jetë të mirë. Ne jemi njerëz që bëjmë gjithçka që këta fëmijë t’i shkollojmë sa më mirë në Shqipëri e kudo në botë. Ne jemi njerëz që duam që të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë, të gjitha energjitë tona për të ndryshuar këtë vend dhe e kemi ndryshuar atë më shumë se çdo vend tjetër, e kemi ndryshuar atë më shumë se 30 mijë vite të marra së bashku”, ka vijuar në fjalën e tij Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë është ndalur edhe në pasuritë e mëdha nëntokësore që ka Shqipëria.
“Shqipëria ka rezerva botërore të kromit, rezerva botërore të bakrit, të nikelit dhe mineraleve të tjera. Nafta shqiptare vjen gjithnjë në rritje. Në këtë vend ekziston çdo gjë. Ekziston dhe tjetër faktor, kudo që i hedh sytë, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim, nuk gjen një metër tokë jopjellore. Zoti e ka bërë Shqipërinë, siç thoshin të parët tanë, Misir për prodhimet e saj. Ndaj është në dorën tonë të shtojmë pasuritë e kësaj toke e të këtij vendi”, theksoi më tej, kreu i ekzekutivit Sali Berisha.