E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton: Afrika të bëjë kujdes nga “kolonializmi i ri” – kritikon investimet e Kinës

12-06-2011 / Gazeta 55

Me rritjen e fokusit dhe investimeve të Kinës në Afrikë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se kontinenti afrikan duhet të bëjë kujdes nga "kolonializmi i ri". Sipas Klinton-it, Kina nuk po krijon partner në Afrikë, në mënyrë që të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të kontinentit

E pyetur dje gjatë një interviste në një televizion të Zambias, lidhur me influencën në rritje të Kinës në kontinent, numri dy i Shtëpisë së Bardhë tha se afrikanët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj “miqve” të cilët merren vetëm me elitat. "Ne nuk duam të shohim një kolonializmi të ri në Afrikë," tha Klinton në një intervistë televizive në Lusaka, ndalesa e parë në një turne pesë-ditorë në Afrikë. "Kur njerëzit vijnë në Afrikë për të bërë investime, ne duam që ato të bëhen mirë, por edhe të bëjnë mirë", tha ajo. "Ne nuk duam që ato të minojë qeverisjet e mira të Afrikës", theksoi Klinton. Në vitin 2009, Kina ka derdhur gati $ 10 miliard dollarë investime në Afrikë dhe ka zaptuar tregun afrikan, duke blerë naftë dhe lëndë të para për ekonominë e saj bombastike. Duke u paraqitur në programin "Afrika 360", Sekretarja amerikane e Shtetit bëri thirrje për investime afatgjata dhe të qëndrueshëm, të cilat do të rrisnin përfitimet për Afrikën.  "Ne pamë se gjatë kohës koloniale është e lehtë për të ardhur në vend, për të marrë burimet natyrore, për të paguar udhëheqësit dhe për t’u larguar", tha ajo. Klinton vuri në dukje përpjekjet e SHBA-së për të përmirësuar qeverisjen politike dhe ekonomike në vende si Zambia, të cilën e cilësoi si shembull të qasjeve të ndryshimeve demokratike. "Shtetet e Bashkuara janë duke investuar ndaj të gjithë njerëzve në Zambia, jo vetëm ndaj elitave, dhe ne jemi duke investuar për një periudhë afatgjatë. Shtetet afrikane mund të mësojnë shumë nga Azia sesi qeveritë mund të ndihmojnë në rritjen e mbështetjes ekonomike, por Kina nuk përbën një model politik për t’u marrë shembull. Ne po fillojmë të shohim shumë probleme në Kinë, probleme këto që mund të intensifikohen gjatë 10 viteve të ardhshme”, tha Klinton,  duke iu referuar kështu fërkimeve të fundit mbi përpjekjet e Pekinit për të kontrolluar internetin. "Ka më shumë mësime për t’u mësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe demokracive", përfundoi ligjërimin e saj Klinton. Turi i Sekretares amerikane të Shtetit, pas Zambias, do të vijojë në Tanzani dhe Etiopi,  ku ka për qëllim të nxjerrë në pah politikat e administratës Obama për të ndihmuar vendet afrikane që të përmbushin sfidat e tyre, duke filluar nga HIV / AIDS-it,  siguria ushqimore, dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›