E Diel, 1 Nëntor 2026

Mantelli- Imamit: Italia do vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë

TIRANE - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, priti sot në një takim shefin e Shtabit të Mbrojtjes së Republikës së Italisë, admiral Luigi Binelli Mantelli, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.

Gjatë këtij takimi, teksa vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis dy vendeve, Imami tha se "këto 20 vjet, Shqipëria ka bërë gjithçka për paqen, duke krijuar marrëdhënie shumë të mira me vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere. Edhe pse tranzicioni ka qenë i vështirë ne vendosëm të bëjmë një ndryshim për Forcat e Armatosura, duke i dhënë një pamje të re atyre, si dhe duke i modernizuar ato”. Në muajin shtator, nënvizoi Imami, do të jemi në opozitë, duke vazhduar kontributin tonë për progresin e mëtejshëm të vendit.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Republikës së Italisë, admiral Luigi Binelli Mantelli, vlerësoi arritjet e shënuara në rrugën e reformimit dhe modernizimit të FA Shqiptare. Ai nënvizoi veçanërisht kontributin e dhënë nga Delegacioni Italian i Eksopertëve, mision i cili për 16 vjet rresht ka shërbyer këtu në Shqipëri. “Ky mision ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse jo vetëm i ka shërbyer forcimit dhe konsolidimit të FA Shqiptare, por edhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”, u shpreh admiral Mantelli. Ai tha gjithashtu se, Italia dhe FA Italiane do të vazhdojnë të mbështesin edhe në të ardhmen Shqipërinë dhe forcat e saj të armatosura. në rrugën drejt integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike.

Më tej, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për situatën në rajonin tonë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin, etj.
Më herët, shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Republikës së Italisë, admiral Luigi Binelli Mantelli, u prit me Truproje Nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›