Komiteti i OKB: Përmbyllni hetimet për 21 Janarin, fajtorët para drejtësisë
Tiranë- Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje që fajtorët e ’21 Janarit’ të vihen para drejtësisë si dhe të kompensohen familjarët e katër protestuesve që humbën jetën gjatë protestave.
Ky Komitet ka publikuar sot konkluzionet pas raportit të dytë të Shqipërisë, në të cilën i bëhet një thirrje e drejtpërdrejtë shtetit shqiptar që të përmbyllen hetimet e ’21 Janarit’ në mënyrë që të garantohen standardet ndërkombëtare të hetimit.
Sakaq konlulzionet e Komitetit theksojnë me shqetësim që Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e grave dhe fëmijëve. Kështu Komiteti i bën thirrje shtetit të forcojë masat ekzistuese për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore dhe të hetojë rastet e keqtrajtimit të fëmijëve në rajonet e policisë.
Gjithashtu, në raportin e dytë për Shqipërinë, Komiteti OKB për të drejtat e njeriut i kërkon shtetit të marrë masa për të ndihmuar familjet e ngujuara dhe të marrë masa më efektive kundër fenomenit të gjakmarrjes.
Edhe media zë një vend të veçantë në këtë raport ku thuhet se shtetit duhet të marrë masa për të garantuar lirinë e shprehjes në të gjitha format.
Të hetohen rastet e dhunës apo sulmeve kundër gazetarëve dhe të parandalohen dhe frenohen paditë kundër medias,- tha Komiteti.