E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mantho Bala: Në momentin e ekzekutimit Ramize Gjebrea diçka nisi të thoshte

(vijon nga numri i kaluar)
Një rrjedhë tjetër merr intervista e ditës së sotme e ish drejtuesit të lartë komunist Mantho Bala, i cili pavarë
sisht se ishte partizan i orëve të para të luftës e pësoi nga shokët e një ideali. Por pikërisht për orët e para të luftës ai dëshmon në këtë intervistë të fundit të tij. Konkretisht ai ndalet te ngjarja që ka tronditur për dekada të tëra opinionin shqiptar që ka të bëjë pikërisht me vrasjen e njërës prej kuadrove më kryesore të luftës, Ramize Gjebrenë. Mantho Bala tregon se ka qenë bashkëfshatar dhe i njohur familjar me Zaho Kokën, i cili u akuzua për moralin e mistershëm me vajzën bukuroshe të dërguar në brigadën e tyre nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste. Kështu, Bala dëshmon momentet e para që Gjebrea u prezantua para partizanëve të brigadës së parë dhe veprimtarinë e saj në zonën e bregdetit ku u caktua për të drejtuar formacionet partizane të brigadës së pestë. Cila ishte e vërteta e marrëdhënieve të saj me komandantin simpatik Zaho Koka dhe furia e llafeve dashakeqëse që përfshiu mbarë opinionin. Çastet kur këtë problem e morën në diskutim autoritetet e brigadës dhe ekzekutimi makabër, ndërkohë që nuk hezituan edhe për ta përdhosur në çastet që po jepte shpirt, duke e goditur me tre plumba në kokë njëri prej shokëve të saj. Këto dhe të tjera lexuesi i gazetës sonë do ti ndjekë pikërisht në numrin e mëposhtëm të vetë zotit Mantho Bala.

Zoti Mantho, një ngjarje e pashlyeshme e historisë së luftës ka ngelur vrasja e Ramize Gjebresë. Shumë vrasje dhe vdekje enigmatike kanë ndodhur në atë kohë, por vrasja e saj ka vazhduar ta mbajë të tronditur opinionin shqiptar edhe në ditët e sotme aq sa shumë herë gazetat i kthehen dhe i rikthehen sa herë gjejnë detaje të reja në atë subjekt makabër dhe misterioz.

Ajo që doja t'ju pyesja unë juve është se çfarë dini për ngjarjen e saj, pra të Ramize Gjebresë meqenëse ju keni qenë partizan në brigadën e pestë ku ajo ka qenë aktiviste dhe mesa di unë, Zaho Kokën e keni bashkëfshatar?
Ramize Gjebrenë për herë të parë e kam njohur në inaugurimin e brigadës së pestë partizane.
Ju çfarë keni qenë saktësisht në atë kohë?
Unë kam qenë fare i vogël. Pionier siç më thonin. Kam qenë partizan në batalionin e bregdetit.
Kur ka ndodhur saktësisht inaugurimi i brigadës së pestë kur ju jeni njohur me Ramize Gjebrenë?
Brigada e pestë është inauguruar në janar të vitit 1944. Ishte koha që ajo brigadë e porsa organizuar hyri në operacionin e egër të dimrit. Pra në janar të '44-ës u mblodhën të gjitha çetat dhe batalionet partizane në fushën e Bramishnjës në Tërbaç. Kishte entuziazëm të jashtëzakonshëm. Pas pak si kishin filluar këngët partizane dhe ato labçe ku partizanët të ndarë në grupe sipas njohjeve, po kalonin çaste të gëzuara, u urdhëruan të rreshtoheshin sipas formacioneve që ishin inkuadruar gjithsecili. Të gjithë u renditën përballë tribunës së improvizuar me dru dhe gjethe ilqeje. Në tribunë zuri vend udhëheqja e brigadës ku krah saj pamë dhe një vajzë të re.
Kush ishte udhëheqja e brigadës së pestë në atë moment të inaugurimit?
Atëherë po të tregoj më mirë se kush zuri vend në tribunë që të kuptosh edhe udhëheqjen e brigadës. Aty zuri vend Hysni Kapo, Manush Myftiu, Shefqet Peçi dhe Hito Çako.
Pikërisht në mes të tyre pamë dhe vajzën e re që po të them. Atë e prezantuan se quhej Ramize Gjebrea. Dhe ishte e deleguara e Komitetit Qendror të Rinisë. Pashë se ishte një vajzë me trup mesatar. Ishte shumë e bukur dhe rrezatonte shkathtësi. Të binte menjëherë në sy që kishte zgjuarsi të spikatur.
Këto cilësi ranë më shumë në sy kur ajo mori fjalën pas anëtarit të udhëheqjes së brigadës.
Çfarë kuptuat kur mori fjalën?
Ajo veç bukurisë dhe zgjuarsisë kishte dhe një oratori të jashtëzakonshme. Ramize Gjebrea bëri në ato çaste të gjithë masën e qindra partizanëve për vete. Ishin elektrizuar të gjithë prej fjalimit të saj aq sa e duartrokisnin pa pushim që prej fillimit deri në fund.
Ajo thatë se ishte njohja e parë me Ramize Gjebrenë?
Po. Ajo ishte njohja e parë e të gjithëve me atë vajzë të jashtëzakonshme, e cila diti të prezantohet aq bukur me atë oratori që i linte mbrapa të gjithë ata që ishin në tribunë. Pas kësaj unë u njoha shumë më mirë me të për faktin se në kohën që u themelua brigada e pestë, pra në janar të '44-ës, filloi operacioni i dimrit. Pikërisht në atë operacion Ramize Gjebrea u caktua përgjegjëse e batalioneve partizane të brigadës së pestë në zonën e bregdetit të vendosura kryesisht në shpellën e Ilqes së asaj zone.
Dhe nuk ju zhgënjeu për cilësitë e para që spikatën në momentin që ju e hasët në tribunën e inaugurimit të brigadës?
Ashtu siç u prezantua atje ashtu vazhdoi. Ishte Ramize për kokën e Ramizesë si i thonë nga ajo zonë kur duan të ngrenë shumë lartë dikë. Edhe Ramizeja ishte e qeshur dhe gojëmbël, inteligjente e madhe. I shndrinin sytë nga zgjuarsia. Pastaj ajo kishte aftësi të rralla për të hyrë në bisedë me këdo dhe dinte të zinte halle ashtu siç dinte të jepte kurajë. Nuk e di por në fshatrat e bregut ku shkeli këmba e saj kryesisht në fshatin tim të Vunoit, ajo krijoi njohje të mëdha me banorët e zonës. Nuk mund të flas më tepër se mendoj se u mbaruan fjalët e mira që ka gjuha shqipe besoj se po të kishte akoma për Ramizenë do ti lëshoja pa kursim.
Vërtet mendon se i takojnë aq fjalë të mira sa po i shprehni?
Ndryshe nuk do ta vrisnin në mënyrën më të poshtër. Vrasja e asaj vajze në atë mënyrë nuk ka nam e imam si i themi ne pleqtë. Ishte makabriteti më i madh që më kishin zënë sytë megjithëse me vdekjen jetonim përditë, na vriteshin shokë dhe vrisnim armiq çdo ditë, por ajo plandosje ashtu në mes të atij livadhi dhe ajo shtyrje me këmbë që i ka bërë njëri nga drejtuesit e brigadës që nuk dua t'ia përmend emrin sepse po ta them jam i sigurtë se do t'iu vijë turp fëmijëve sot që e kanë pasur baba, mua më ka ngelur në mendje. Për shumë kohë na dilte gjumi natën.
Po a u vra demostrativisht para jush?
Po ore. Aty ishim të gjithë. Ishim rreshtuar rreth fushës ku do të ekzekutohej ajo dhe nuk ishim dakord fare të bëhej ajo vrasje e tmerrshme. Por kujt ja mbante të fliste, ata nuk ta bënin të gjatë se të vrisnin pa një e pa dy, madje edhe mbrapa krahëve.
Mos po e ekzagjeroni shumë këtë fakt duke thënë se po të jepje një mendim të vrisnin? Kishte ndodhur në ndonjë rast?
Edhe sot më kujtohet Mynyr Xhindi që ishte një njeri i shkëlqyer, por e vranë.
Kush ishte ky Mynyr Xhindi?
Ishte Sekretar Organizativ i Qarkorit të Partisë. Burrë që se bënte më nëna. Por ç'e do. Në një ditë prej ditësh ne dëgjojmë disa të shtëna mbrapa kodrës, nuk diskutonim që ishin të shtëna armësh, por nuk u kushtuam rëndësi. Më vonë u mor vesh se kishin vrarë Mynyrin. Ishte anonim se kush e kishte vrarë.
Nga shokët?
Patjetër që nga shokët e tij. Pra ata të udhëheqjes siç e quanim neve. Siç duket e kanë tërhequr në bisedë pastaj i futën tre-katër plumba dhe hodhën në ferrë.
Dhe mbeti anonim?
Vrasësi po. Megjithëse pëshpëritej nëpër veshë se e vrau filani por nuk ja mbante kujt të ngrinte zërin se e pësonte ashtu siç nuk mund të thoshe dot që s'ishe dakord për vrasjen e Ramizesë sepse e pësoje.
Kush ishte ky që pëshpëritnit për Xhindin?
Lëre mos e nga se ishte një tip krimineli që ishte në shtabin drejtues të brigadës. Ata të vrisnin pa një e pa dy. Nuk ta bënte kush të gjatë. Por unë emrin nuk ja them se pëshpërimë ishte dhe nuk kishte gjë të faktuar. Por gjithsesi Xhindin e vranë shokët.
Zoti Mantho, le të ndalemi te historia e Ramizesë e cila për hir të së vërtetës është ngulitur gjatë në mendjet e shqiptarëve. Madje teksa ju e përshkruani një makabritet po krijoj bindjen se s'është rastësisht fakti që ka bërë aq përshtypje vrasja e saj. Pra dua të di se si është e vërteta e historisë së saj me Zaho Kokën, të cilin juve e kishit edhe fshatar?
Zaho Kokën e kisha jo vetëm fshatar, por familjet tona ishin shumë të lidhura në miqësi. Ne bashkë njiheshim shumë mirë dhe ai më përkrahte, por duhet të kesh parasysh se ai kishte diferencë të madhe moshe me mua. Unë isha pionier që s'kisha mbushur as 15 vjeç. Këtu është bërë edhe njohja e Zahos me Ramizenë pasi Zahua ishte përgjegjës i luftës në tërë krahinën e Himarës. Ndërsa Ramizeja kaloi përgjegjëse e drejtimit të batalioneve të brigadës së pestë në të gjithë zonën e bregdetit siç ta përshkrova pak më lart. Pra, Ramizeja shkonte kudo me Zahon kryesisht në Vuno ku Zaho kishte shtëpinë. Por këto ecejake nuk ishin të fshehta madje Ramizeja krijoi siç të thashë dhe pak më parë njohje të madhe edhe me banorët e zonave pasi kishte një mënyrë komunikimi shumë të ëmbël. Mund të të them gjithashtu se fëmijëve të Vunoit u mësoi të gjitha këngët partizanë.
Pra ajo zhvillonte aktivitet të gjerë për të realizuar detyrën e ngarkuar apo jo? Doja të thosha se në një farë mënyre e ngarkuan të rrinte me Zahon se e tillë ishte detyra, nuk e di nëse jam gabim?
Ajo aktivitetin kryesisht atë me gratë e zhvillonte më shumë natën se ishte në ilegalitet. Por ashtu siç shpreheni dhe ju është shumë e vërtetë se detyra që ajo kryente nuk mund të ishte vetëm pasi së bashku me Zahon ishin të dy drejtues të luftës në bregdet. Kjo punë e detyruar i bëri më të lidhur dhe njohjen e tyre e bëri më të fortë gjë që krijoi premisa të jashtëzakonshme për llafe dashakeqëse. Më mirë do të thosha se gojët e liga filluan të interpretojnë keq. Këto lloj interpretimesh të gojëve të këqija shkallë- shkallë erdhën dhe u bënë shqetësuese dhe filluan të arrijnë dhe në gojën e udhëheqësve të lartë.
Konkretisht për kë udhëheqës e ke fjalën që i cilësoni të lartë?
Ata ishin kryesisht drejtuesit e brigadës së pestë ashtu dhe të deleguarit e Komitetit Qendror si Hysni Kapo, Liri Gega, Manush Myftiu, etj, etj.
Doja të dija zoti Mantho nëse juve vetë që luftonit atëherë në bregdet pra nën drejtimin e Zaho Kokës dhe Ramize Gjebresë keni konstatuar në të vërtetë diçka imorale në marrëdhëniet e tyre?
Unë ju thashë që ata rrinin bashkë se të tillë kishin detyrën. Pra ishin bashkë natën dhe ditën gjë që mund të të bënin të dyshoje në çdo kohë. Por që të jem i sinqertë nuk mund të them sa ka konstatuar njeri gjë. As unë nuk kam parë dhe as kam konstatuar asgjë që mund të flisja me kompetencë. Çdo gjë ishte thashethemnajë dhe asgjë tjetër.
Por si ka mundësi që fjalët e këqija morën aq vrull?
Sepse të vazhdoj të jem deri në fund i sinqertë po të them se ata me të vërtetë përbënin një çift të jashtëzakonshëm. Ramizeja kishte një bukuri dhe një hijeshi diellore ashtu sikurse Zahua që ishte një djalosh i gjatë me pamje shumë fisnike dhe tepër elegant. Pra ishte një çift përrallor. Jo vetëm bukuria trupore që arrinte te ata një pamje qiellore, por edhe ajo intelektuale ishte e jashtëzakonshme. Të dy ishin orator të shkëlqyer. Ishin të brumosur. Kishin botë. Kishin aftësi komunikuese dhe ishin të afruar me të gjithë. Të gjitha këto krijonin përshtypjen e padiskutueshme se ata kishin krijuar lidhje. Por që të dal sërish te deklarimi i parë askush nuk pa gjë me saktësi dhe askush nuk mundi të vërtetonte gjë.
Pas kësaj erdhi dënimi i Ramizesë?
Erdhi një moment dhe stuhia e thashethemeve nuk mbahej. Kushdo fliste sikur të kishte ndodhur me të vërtetë. Nuk e di si mund të ketë qenë saktësisht e vërteta, por mendoj se vrasja e saj ishte diçka që ishte kurdisur. Janë ato komplikacionet e ndyra që bëjnë njerëzit e vegjël nga shpirti kur shikojnë diçka që nuk e arrijnë dot apo diçka që u bën hije më shumë se ata vetë.
Si ndodhi vrasja?
U urdhërua izolimi i Ramizesë deri në përfundim të gjyqit nga shtabi i brigadës i vetëquajtur trup gjykues. Ndërsa Zahua u vendos të mbahej nënë kontroll i lirë. Vendimi i gjyqit ishte që Ramizeja të dënohej me pushkatim ndërsa Zaho Koka të transferohej në repartet partizane të Korçës.
Ku u zhvillua gjyqi?
Gjyqi u zhvillua në Ramic të Vlorës
Sa ditë vazhdoi gjyqi dhe nga kush përbëhej saktësisht trupi gjykues?
Gjyqi ka vazhduar aty rreth 3-4 ditë. Saktësisht nuk i mbaj mend mirë kush kanë qenë në trupin gjykues, por di që kanë qenë Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Hito Çako etj. Kjo ka ndodhur menjëherë pas operacionit të dimrit, në mars të '44-ës.
Jam i interesuar zoti Bala për të qenë rigoroz me faktet dhe të vërtetat, sa kohë u mbajt pa u ekzekutuar Ramizeja si përfundoi gjyqi?
U ekzekutua menjëherë dhe publikisht.
Si ndodhi?
Atë moment nuk do ta harroj. U mblodhën të katër batalionet e brigadës së pestë në fushën e Ramicës së Vlorës. Kishte edhe banorë të fshatrave përreth. Shikohej një popullaritet i madh. Fillimisht nuk dinim gjë për vendimin e marrë. Batalionet ishin vendosur rreth fushës duke lënë mesin e saj bosh. Pas pak doli në mes të fushës Hito Çako që ishte shef i seksionit politik të brigadës.
Pra flasim për momentet e fundit kur do pushkatohej Ramizeja?
Po, Hitoja doli dhe foli fare shkurt. Foli për moralin e shokëve që ishte cënuar dinjiteti partizan e tërci e vërci dhe pastaj komunikoi vendimin e gjyqit partizan që kishte dënuar Ramize Gjebrenë me vdekje.
Si reaguan?
Fjala e Hitos u mbyll me duartrokitje.
Me vërtet?
Po, po shumë e vërtetë. Pas pak u pa Ramizeja që po vinte nga këndi i fushës e shoqëruar nga tre partizane që i kishin drejtuar pushkët. Dy ishin anash dhe një ishte mbrapa. Ishte një situatë kaosi. Të gjithë kishin ngrirë. Ramizeja ecte shumë qetë. Mendoj se nuk e dinte se do të vritej, por ma merr mendja se do të dilte të bënte një autokritikë sepse kur u qëllua u ndodh e papërgatitur duke thënë "Ç'bëni"?. Ajo erdhi në mes të fushës dhe ndërkohë që filloi të fliste duke u kthyer nga njerëzit komanda "zjarr" i preu çdo fjalë që po matej të thoshte pasi breshëritë e armëve të shoqeve e plandosën në shesh duke i lënë fjalën në grykë, ndërkohë që kur u qëllua arriti të thërriste "Ç'bëni kështu"?
E goditën shoqet që e shoqëronin?
Ato ishin të instruktuara dhe e dinin që në atë çast do t’u jepej komanda "zjarr". E pashë mirë që ajo nuk u la me qëllim të thoshte diçka. Nuk e di kujt do ti digjte fjala e asaj vajze në ato momente që nuk u la të fliste. Sigurisht ndonjë nga të mëdhenjtë pasi ata e kishin në dorë vrasjen dhe minimumi i asaj tragjedie do të linin të thoshte fjalën e fundit. Vetëm në pak çaste ajo ishte një kufomë e shukosur përtokë.
Pasi ra përtokë shkoi njëri që nuk dua t'ia them emrin se do t'iu vijë turp fëmijëve për babain që kanë pasur dhe e shtyu me këmbë. Kur pa se ishte akoma e gjallë e ka qëlluar dhe tre herë me pistolete në kokë derisa vdiq.
Në ato momente shkoi një barelë me katër partizanë dhe e morën trupin duke e nxjerrë diku jashtë fushës ndoshta për ta varrosur, por edhe ndoshta për ta hedhur… .
Po Zahua ishte?
Zahua ishte nisur për në shtabin e përgjithshëm për të zbatuar urdhrin që të shkonte në repartet e Korçës. Por Enver Hoxha e ktheu sërish mbrapa për të vijuar luftën në bregdet. Por Zahua tashmë u kthye tjetër njeri. Ai nuk ishte Zahua i parë. I gjallë i shkathët optimist, energjik. Ai tashmë që për shkak të tij ishte pushkatuar Ramizeja, ndihej tepër i varrë dhe i shkatërruar. Nuk e di por kam parandjenjën se doli vetë para plumbit për të siguruar vdekjen.
Pse si ndodhi?
Kanë qenë rrethuar tre gjermanë në një kishë në hyrje të Vunoit aty ku sot është Lapidari i Zahos. Aty ku kalon rruga duhet të ta kenë zënë sytë. Gjermanët mbroheshin brenda kishës duke qëlluar dhe nga ndonjëherë në drejtimin e vetëm që mundeshin dera e hapur, ndërsa disa partizanë qëllonin por më kot ishin muret e saj. Te një shkëmb që binte pikërisht përballë derës nga qëllonin dhe gjermanët ishte vendosur Zahua. Në një moment ata arrijnë ta qëllojnë Zahon dhe të munden të ikin me vrap për të arritur kolonën e tyre që në atë moment kishte mbërritur në vendin e quajtur Liaz. Pra mënyra si u vra dhe aty ky rrinte nuk besoj asnjëherë se nuk e donte më jetën. Por ai donte të vritej në luftë. Gjithsesi as atëherë dhe as njëherë nuk mund të harroj atë çast si u rrëzua Ramize Gjebrea apo momentin që e morën me barelë kufomën për ta varrosur apo për ta hedhur kushedi se ku, ndoshta dhe në ndonjë ferrë si qen se të gjitha bëheshin atëherë.
Faleminderit Zoti Mantho.
Faleminderit dhe prej jush që më bëtë të ndihem i gjallë në këtë mungesë identiteti që më ka mbuluar prej kohësh, duke mundur të paktën të përshëndes edhe një herë të gjithë të njohurit dhe të afërmit e mi.
(BalkanWeb/GezataShqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›