Maqedoni, Arifi: Prioritet, proceset eurointegruese

Zëvendëskryeministrja për Eurointegrime e Maqedonisë, Teuta Arifi deklaroi se zhbllokimi i procesit eurointegrues do të jetë një prioritet më i madh, duke pasur parasysh zhvillimet në rajon.
“Do të angazhohemi sa të jetë e mundur që ky proces të jetë i mirë, të rrjedhë sa më shpejt dhe të jetë më dinamik dhe në vjeshtë të marrim raport pozitiv nga KE”, deklaroi Arifi, pas zgjedhjes së saj si zv/kryeministre për çështjet e eurointegrimeve në Qeverinë e re të Maqedonisë, që u votua mbrëmë nga Parlamenti.
Sipas saj, BDI-ja në Qeveri është përfshirë pas marrëveshjeve intensive për të ndërtuar parime të përbashkëta dhe kjo tregon dallimin e kësaj qeverisje me atë të kaluarën.
“Duke u bazuar në marrëveshjen e arritur, të dyja partitë kanë përafruar shumë elemente, duke u angazhuar për vlerat evropiane, që na bashkojnë të dyjave”, deklaroi ajo.