Maqedoni, BDI dhe PDSH debate për regjistrimin

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni sërish ka nxitur debate mes partive shqiptare. PDSH dje i dorëzoi Parlamentit propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë, duke kërkuar që ky proces të zhvillohet nga data 1 korrik deri më 15 korrik të vitit 2012.
"Ne si PDSH propozojmë që regjistrimi i parashikuar nga 1 deri më 15 tetor të mbahet nga 15 deri më 30 korrik të vitit 2012, për shkak se në këtë periudhë bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit janë në vendlindje. Duke pasur parasysh faktin se ligji nuk është precizuar rreth regjistrimit të bashkëqytetarëve që jetojnë jashtë vendit, dhe numri i tyre është shumë i madh, kërkojmë që regjistrimi të mbahet në këtë periudhë kur ata janë këtu dhe mundësia për tu regjistruar është më e madhe", deklaroi shefi i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.
Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 200 mijë qytetarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. PDSH kërkoi që këto ndryshime të miratohen me procedurë të shkurtuar, për shkak se koha e parashikuar për ligjin aktual për regjistrim është e shkurtër dhe se opinioni nuk është i përgaditur për një operacion të tillë të rëndësishëm si është regjistrimi.
Nga ana tjetër, BDI ka theksuar se do të shoh propozimin e PDSH dhe do të dal me qëndrimin e saj zyrtar. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Talat Xhaferi deklaroi për INA se deri tani nuk ka ndonjë qëndrim konkret lidhur me këtë propozim të bërë nga PDSH-ja dhe se pasi të shihet ai do të jepet komenti i duhur mbi të.
Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha gjithashtu ka theksuar se qëndron akoma data lidhur me mbajtjen e regjistrimit të popullsisë nga 1 deri më 15 tetor të këtij viti dhe se nuk ka ndonjë vendim tjetër apo të komentohen deklarimet e partive politike.
Partitë politike shqiptare edhe më parë kanë zhvilluar debate dhe përplasje lidhur me datën e nisjes së regjistrimit, duke kërkuar që ai të mbahet kryesisht gjatë periudhës së verës, për shkak të pranisë së bashkëqytetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Regjistrimi i popullsisë i parashikuar më 1 prill të këtij viti është shtyer për më 1 tetor për shkak të zgjedhjeve të mbajtura të parakohshme në qershor të këtij viti