E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, BDI drejt largimit nga qeverisja me VMRO-DPMNE-në

Partia shqiptare në Maqedoni BDI është pranë largimit nga qeverisja me VMRO-DPMNE-në . Lajmi bëhet i ditur nga Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi e cila ka dhënë edhe sinjalet e para për ndarje nga koalicioni qeveritar me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit.
"Mjaft më kemi qenë konstruktiv. Ka ngelur edhe pak kohë që të zgjidhet çështja e emrit, nëse kjo nuk mbyllet, atëherë BDI-ja do të shqyrtojë politikat e pjesëmarrjes në Qeveri", është shprehur Arifi duke shtuar se po shihet qartë që dikush deri tani ka pasur pritje të tjera apo pritje më ambicioze kur ka vendosur që të hapë çështjet për ndryshimet kushtetuese.
"Nëse kryeministri nuk pranon kërkesat e BDI-së për ndryshimet kushtetuese, atëherë ne nuk do të votojmë për ndryshimet e propozuara kushtetuese nga VMRO-DPMNE. Duke pasur parasysh faktin se çdo ndryshim i Kushtetutës kërkon edhe votat tona, ne nuk do të votojmë", ka theksuar deputetja Teuta Arifi.
E pyetur se me këto qëndrime po rrënohet koalicioni, deputetja e BDI-së deklaroi se në të ardhmen mund të bisedohet edhe për këtë temë, pasi sipas saj, ajo nuk është shtruar në takimin e fundit të liderëve të partive politike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›