Maqedoni, BDI e gatshme të pranojë zgjedhjet e parakohshme

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, por vetëm nëse arrihet një konsensus për nevojën e mbajtjes së tyre.
Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, deklaroi të enjten se forca që ajo përfaqëson është mese e gatshme të pranojë edhe këtë sfidë nëse është nevoja, por sipas saj, një gjë e tillë nuk shihet aktualisht.
"Republikës së Maqedonisë nuk i nevojiten zgjedhje, veçanërisht për shkak të faktit që në prill është caktuar regjistrimi. Ne konsiderojmë se koha që është para nesh duhet të shfrytëzohet për një platformë politike të përbashkët të të gjithë aktorëve politikë. Kjo nuk nënkupton ndryshim të formatit të qeverisë, për tu krijuar besim në tejkalimin e kontestit me Republikën e Greqisë. Për javën e ardhshme tashmë është caktuar raund i ri i negociatave. Konsiderojmë se të gjithë aktorët politikë do të duhej të jenë më të shqetësuar dhe të përqendruar në atë se cili do të jetë rezultati i këtij takimi dhe si më tej të zhvillohet kjo çështje. Megjithatë, nëse me konsensus do të merret qëndrim se Maqedonisë i nevojiten zgjedhje të parakohshme, ne jemi të gatshëm ta pranojmë edhe këtë sfidë", deklaroi Mehmeti.
Ajo konsideron se shumica parlamentare është ajo që ka legjitimitet dhe hapësirë të mjaftueshme politike të vendosë nëse do apo jo që ta shpërbëjë Kuvendin.
Një pjesë e anëtarëve të lartë të kësaj partie kanë kërkuar që të shkohet në zgjedhje për shkak të pozicioneve të dobësuara dhe obstruksioneve nga VMRO-DPMNE brenda Qeverisë, por një pjesë e udhëheqësve me në krye liderin Ali Ahmeti kanë vendosur që të mos mbështet propozimi për zgjedhje të parakohshme.