E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, BDI-ja kundër zgjedhjeve, sot protesta në Shkup

KSHZ bëri të ditur se zgjedhjet do të përsëriten në 28 qendra. Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për incidentet

Zgjedhjet e 1 qershorit ishin jolegjitime dhe për këtë do të zhvillohet një protestë në Shkup. Kështu ka paralajmëruar partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim me anë të një njoftimi për shtyp ku sqarohet se dita e sotme përkon me përvjetorin e kësaj partie. “Më 5 qershor shënojmë gjashtëvjetorin e themelimit të BDI-së. Në vend të kremtimit, këtë përvjetor vendosëm ta shënojmë me protestë të madhe kundër manipulimit dhe jolegjitimitetit të zgjedhjeve të 1 qershorit”,-thuhet në këtë njoftim për shtyp. “Protesta kundër falsifikimit të zgjedhjeve, kundër pengimit të votës së lirë dhe shprehjes së respektit për Naser Ajvazin e ndjerë, do të fillojë në orën 19:00 në sheshin “Skenderbe” në Çarshinë e Vjetër në Shkup”,-thuhet në këtë komunikatë. Dy partitë kryesore shqiptare BDI e Ali Ahmetit dhe PDSH e Menduh Thaçit nuk kanë pranuar humbjen në zgjedhje duke pretenduar se janë fituese. BDI-ja është ankuar se PDSH-ja ushtron presion ndaj anëtarëve të këshillave zgjedhore për të firmosur procesverbalet sipas të cilave zgjedhjet do të konsideroheshin demokratike. Forcat e rendit kanë marrë parasysh thirrjet e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian për hetimin e trazirave dhe përgjegjësve të tyre duke bërë të mundur edhe arrestimin e gjashtë personave të cilët dyshohet se janë përfshirë në incidentet e së dielës. 3 persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në fshatin Bukoviç të Shkupit ndërsa 3 të tjerë në fshatin Rashçe. Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Gordana Jankullovska njoftoi se këtyre personave iu janë gjetur armë dhe municione dhe për këtë arsye ata do të hetohen. Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa edhe për zbardhjen e plotë të incidenteve zgjedhore në fshatrat Laskarcë dhe Mëhalla Malinë, si dhe për identifikimin e personave që morën pjesë në incidentin e armatosur pranë vendvotimit të një shkolle në fshatin Çair. Ministrja Jankullovska ka bërë të ditur se MPB-ja ka zbardhur dhe dokumentuar një pjesë të madhe të incidenteve zgjedhore. Për 20 raste të shkeljes së procesit zgjedhor u arrestuan rreth 50 persona, si dhe u konfiskua një sasi e madhe armësh dhe municionesh.

Në Maqedoni zgjedhjet do të përsëriten në 28 qendra votimi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup duke marrë parasysh kërkesat e ndërkombëtarëve por edhe të liderëve të partive maqedonase për përsëritjen e zgjedhjeve në zonat ku pati parregullsi, bëri të ditur se zgjedhjet do të përsëriten në 28 qendra votimi. PDSH-ja dorëzoi 200 ankesa për parregullsitë gjatë procesit zgjedhor në zonën e Shkupit dhe Tetovës, ndërsa BDI-ja 150 ankesa dhe një ankesë të përgjithshme për njësinë zgjedhore numër 6. Vërejtjet e partive shqiptare mund ta zgjerojnë hapësirën e njësive zgjedhore ku do të ketë rivotim. Komisioni Shtetëror Zgjedhor, nuk ka folur për numër mandatesh të partive, për aq kohë sa procesi zgjedhor nuk konsiderohet i mbyllur. Sipas të dhënave paraprake, përbërja e re parlamentare në Maqedoni do të ketë 64 deputetë nga koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” i kryesuar nga VMRO-DPMNE, 28 nga Koalicioni “Dielli, koalicioni për Europë” i kryesuar nga LSDM, 13 nga BDI, 13 nga PDSH dhe 1 deputet nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë për Ardhmëri Europiane, thotë anëtari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›