Pas humbjes, liderja e LSDM-së në Maqedoni paralajmëron dorëheqjen
Kryetarja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Radmilla Shekerinska, ka deklaruar se pas humbjes në zgjedhje do të tërhiqet nga funksioni i kryetares së partisë. Dorëheqja sipas saj vjen për shkak të “parimit të vendosur paraprakisht në LSDM se kryetari i partisë duhet të mbajë përgjegjësi pas humbjes në zgjedhje”. Në deklaratën për televizionin “Kanal 5”, Shekerinska sqaroi se do ta paraqesë zyrtarisht kërkesën për dorëheqje pas mbylljes së gjithë procedurës zgjedhore. Ajo tha se ky vendim është përfundimtar, pavarësisht nga konventa e LSDM-së për analizën e rezultateve të zgjedhjeve, ku mund edhe të mos pranohet kërkesa për dorëheqje. Shekerinska, ish-zv.kryeministre në kohën kur qeveria drejtohej nga Vllado Buçkovski, u zgjodh kryetare e LSDM-së në nëntor të vitit 2006, pas humbjes së kësaj partie në zgjedhjet e korrikut të atij viti, kur Kongresi i partisë, që analizoi humbjen, nuk i dha votëbesimin kryetarit të deriatëhershëm, Vllado Buçkovskit. Sipas rezultateve jo përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Maqedoni më 1 qershor, koalicioni i drejtuar nga LSDM do të ketë 28 vende në parlament, ndërsa koalicioni fitues, i kryesuar nga VMRO-DPMNE, do të ketë 63 deputetë.
5 Qershor 2008