Maqedoni, BDI rebelohet brenda Qeverisë
Kryesia qendrore e partisë shqiptare në pushtet, përgjatë tre ditëve të fundit ka mbajtur çdo mbrëmje mbledhje, duke shqyrtuar rrugët sesi duhet të funksionojnë në të ardhmen, ku mendimet kanë qenë nga më të ndryshmet.
Një opsion ka qenë dalja nga qeveria dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, një tjetër, ndryshimi i ministrave dhe marrja e ministrive të reja, si dhe i treti, padëgjueshmëri ndaj vendimeve të qeverisë që i merr VMRO pa përfilljen e shqiptarëve.
Burime të gazetës “Lajm” brenda BDI-së, kanë pohuar se vendimi më i pranueshëm ka qenë rebelimi brenda institucioneve shtetërore. Shqetësimet e tilla të shqiptarëve në Maqedoni i ka dëgjuar edhe vetë ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker.
“Me Rikerin është folur hapur për të gjitha çështjet. Rreth një orë e gjysmë, Ali Ahmeti i ka treguar Rikerit se nuk vazhdohet puna në këtë mënyrë me Gruevskin, dhe në të ardhmen nuk do të ketë më vetëm ‘amin’ të vendimeve të tij”, ka deklaruar për “Lajm” një burim nga BDI.
Ambasadorit amerikan i janë treguar të gjitha problemet me të cilat hasen shqiptarët, si çështja e maqedonishtes, vendosja e busteve në Shkup, ndërtimi kishës dhe mosndërtimi i xhamisë në sheshin Maqedonia, çështja e emrit të pazgjidhur dhe bllokimi për në BE etj.
Hapi i parë i padëgjueshmërisë politike ndaj vendimeve të ministrave të Gruevskit është bojkotoi i mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë. Edhe pse fillimisht ky vendim u kundërshtua nga shoqëria civile, në fund mbështetje kanë dhënë edhe kryetarët e të gjithë komunave shqiptare në Maqedoni.
Kundërshtimi i dytë i Ahmetit ndaj Gruevskit është deklarata se nuk ka zgjedhje të parakohshme duke hedhur poshtë kërkesën dhe pohimet e shumë partive politike se VMRO-DPMNE po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhje të parakohshme ka kur vendi është në krizë, kur gjërat nuk ecin siç duhet. Së paku, këto simptoma as së afërmi nuk janë vërejtur, në Maqedoni koalicioni funksionon dhe nuk ka ndonjë shqetësim të krizës politike në vend”, ka deklaruar Ahmeti.
Gjithashtu, veprimtaria e BDI-së pritet të zhvillohet edhe në drejtimin e bashkëpunimit më të ngushtë me faktorin ndërkombëtar dhe korrin diplomatik në Maqedoni. /lajm/