E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret ambasadorët: Vizat dhe Kosova në 2010

Në fjalën e rastit, kreu i shtetit u shpreh se gjatë vitit 2009, Shqipëria shënoi suksese të rëndësishme, veçanërisht anëtarësimin në NATO. Topi theksoi se Shqipëria ka një rol bashkëpunues në Rajon, duke nënvizuar se ky sukses ka ardhur nga një qëndrim i pjekur. “Suksesi i politikës rajonale të Shqipërisë nuk është i rastësishëm dhe as i pamerituar. Ai ka ardhur si rezultat i një qëndrimi të matur, të pjekur e të koordinuar ndaj të gjitha çështjeve delikate, të shtruara për zgjidhje dhe një harmonizimi të drejtë të interesave e përparësive kombëtare me ato rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh Topi. Ai tha se besonte që viti 2010 do të vendosë edhe një gur të fuqishëm në urën e bashkëpunimit Shqipëri - Bashkimi Evropian, duke u rikthyer qytetarëve të vendit tim të drejtën e mohuar nga regjimi komunist që në vitin 1945, të drejtën për të lëvizur të lirë në Evropën e lirë dhe të Bashkuar.“Edhe gjatë në vitit 2010 ne do të udhëhiqemi nga vullneti dhe dëshira e sinqertë për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet me vendet tuaja jo vetëm në planin politik, por sidomos në atë të shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik”, u shpreh Topi. Për këtë, ai ka kërkuar shtimin e prezencës së biznesit dhe investimeve të huaja në vendin tonë. “Politika e jashtme e Shqipërisë, tashmë me një përvojë dhe bilanc të çmuar, do të tregojë edhe gjatë vitit 2010 qëndrueshmërinë e saj në procesin, detyrat e sfidat euroatlantike, në zhvillimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, vendet mike të Evropës, Azisë, Amerikës e kontinenteve të tjera, me vendet e Ballkanit Perëndimor, me Kosovën, për të cilën do të vazhdojmë mbështetjen për njohjen e saj ndërkombëtarisht dhe organizatat ndërkombëtare”, vijoi Topi.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›