Maqedoni, Gruevski refuzon shkarkimin e Jankullovskës

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka bërë të ditur se nuk do ta shkarkojë Gordana Jankullovskën nga detyra e ministres së brendshme.
Ai këtë e deklaroi sot në Parlamentin e Maqedonisë në seancën e zakonshme që mbahet çdo muaj, ku deputetët i parashtrojnë pyetje kabinetit qeveritar.
Në pyetjen e deputetit të LSDM-së, Igor Ivanovski se nëse kryeministri Gruevski do ta shkarkojë nga detyra ministren Jankullovska, pas vrasjes së pesëfishtë dhe aksionit policor “Detonator”, kryeministri ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta largojë nga detyra ministren aktuale.
Ai e vlerësuar si të suksesshme dhe me përgjegjësi të madhe punën e deritanishme të ministres Jankullovska. “Kjo strukturë e MPB-së në mënyrë të pakrahasueshme është më profesionale nga periudha juaj në pushtet. Mund të gjeni dobësi, mirëpo nuk mund të bëni krahasime lidhur me më profesionalizmin. Ju kritikoni aksione ku arrestohen kriminel, por ne nuk kujtojmë asnjë aksion gjatë kohës suaj në pushtet, kur kishin besimin e qytetarëve”, theksoi Gruevski.
Ai me këtë rast ka shprehur ngushëllime lidhur me vrasjen e pesëfishtë duke shprehur besimin e plotë se do të kapen autorët e vrasjeve dhe do të nxirren para drejtësisë.