Shkupi dhe Beogradi, qëndrime të kundërta ndaj Kosovës

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka zhvilluar një takim me homologun e tij serb, Boris Tadiç në samitin e nëntë të UNESCO-s që zhvillohet në Begrad.
Takimi i radhës i dy presidentëve sërish konfirmoi se mes dy vendeve nuk kishte asnjë afrim qëndrimesh për sa i përket çështjes së Kosovës, por se kjo gjë, në asnjë rast, nuk do ta pengojë Serbinë dhe Maqedoninë të bashkëpunojnë për realizimin e objektivave të përbashkëta, bën me dije agjencia e lajmeve INA.
“Pozicionet e ndryshme lidhur me Kosovën dhe çështja e kishave nuk janë dhe nuk guxojnë të jenë pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë mes Maqedonisë dhe Serbisë”, deklaruan presidentët e dy shteteve.
Samiti i këtij viti i UNESCO-s zhvillohet në Beograd, ndërsa atje po marrin pjesë të gjithë presidentët e Evropës Juglindore, me përjashtim të Kosovës.
Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërsa presidentët do të mundohen të dërgojnë një mesazh për bashkëjetesën dhe ripajtimin e popujve të rajonit.