Maqedoni, Kryeministri Gruevski kërkon dorëheqjen e Presidentit Cervenkovski
Shkup-Rriten tensionet politike në Maqedoni. Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski kërkoi sot dorëheqjen e presidentit, Branko Cërvenkovski. Disa orë më vonë edhe presidenti i vendit reagon duke kërkuar dorëheqjen e kreut të Qeverisë, Nikolla Gruevski.
Partia VMRO –DPMNE sot në një konferencë për media kërkoi dorëheqjen e presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski. Sipas tyre presidenti e ka keqpërdorur pozicionin shtetërorë dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit me pjesëmarrjen e tij në disa takime me qytetarë në Veles dhe Gostivar.
“Branko Cërvenkovski nga pozicioni në të cilin gjendet, realizon vizita partiake dhe kryen detyrime partiake në dobi të partisë politike LSDM. Këtë ai e bënë me para dhe resurse shtetërore”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Biçikliski. Nga kjo parti theksojnë se edhe zyrtarisht Cërvenkovski e merr funksionin e shefit të LSDM-së.
Pas këtyre deklaratave, menjëherë ka reaguar presidentit i vendit i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë.
“Jemi të befasuar me nervozizmin dhe panikun që ekziston në radhët e partisë në pushtet, demonstruar edhe në konferencën e fundit.
"Presidenti i Maqedonisë duke e kryer funksionin e tij, në pajtim me Kushtetutën ka të drejtë dhe obligim të komunikoj me qytetarët edhe në formën e tribunave me qytetarët. Presidenti i Maqedonisë gjatë vizitave të tij në komuna, është i gatshëm të takohet edhe më përfaqësues të pushtetit lokal dhe me përfaqësues të partive politike pa dallim se a janë në pozitë apo opozitë”. Thuhet në reagimin e presidentit të Maqedonisë.
Në komunikatë thuhet se presidenti është i gatshëm të jep dorëheqje nga funksioni të cilin e kryen, në momentin e njëjtë kur dorëheqjen e tij do ta paraqes edhe kryeministri i vendit Nikolla Gruevski, i cili sipas tij më shumë angazhohet për partinë politike VMRO –DPMNE se sa si kryetar i Qeverisë për interesat e qytetarëve të Maqedonisë. /INA/