Thirrje anti Bollano në Gjirokastër, nisin hetimet
Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës është duke hetuar rreth thirrjeve anti Bollano të shpërndara dy ditë më parë në qytet. Qëllimi kryesor është shqyrtimi i saj, nëse kjo çështje përbën ose jo një vepër penale.
“Pas dhënies së njoftimit në media, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ngritur një grup pune me specialistë të Sektorit të Krimeve tëRënda, të cilët do të hetojnë për këtë ngjarje. Nëse përbën një vepër penale, do të punohet edhe për gjetjen e autorëve të këtyre thirrjeve”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
Ndërkaq, mëngjesi i djeshëm nuk ka gjetur asnjë prej dhjetëra thirrjeve të ngjitura kudo në rrugët dhe sheshet publike të qytetit dhe mendohet se persona të veçantë i kanë hequr ato përgjatë orëve të natës.
Dy ditë më parë në të gjithë qytetin ishin shpërndarë thirrjet pa autor, të cilat kërkojnë sensibilizimin e shqiptarëve për të dalë në mbrojtje të identitetit të tyre. Me një gjuhë të ashpër nacionaliste, autorët anonimë të thirrjes kërkojnë që të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen të ngrihen për të mbrojtur atë që e kanë cilësuar “troje të mbrojtura me gjak e me shpirt”. Në fund të thirrjes kërkohen madje edhe firmat në mënyrë që të shkarkohet kryetari i bashkisë së Himarës Vasil Bollano, i emërtuar në këtë thirrje si vrasësi i Himarës dhe i gjithë shqiptarisë.