E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshtë 2008, tendencat e modës mashkullore



Mbizotërimi i toneve të errta, pothuajse krejtësisht e zezë. Pak prekje ngjyrash ekscentrike dhe të metalizuara. Kështu do të paraqitet burri i kësaj vjeshte që është protagonist i materialeve të teknologjisë së lartë dhe inovativë, të përdorura si për veshjet e ditës, por edhe për ato të mbrëmjes. Nëse për femrat rehatia është fjala kyç, për mashkullin e këtij viti, janë xhaketat e shkurtra deri në bel dhe pantallonat e ngushta në kavilje. Nga xhentëllmeni i kollarisur te pamja e yllit të muzikës rrok. Nga babai i respektueshëm i familjes te pamja prej astronauti. Tendencat dhe stilet për vjeshtën janë shumë, por kanë një gjë të përbashkët: cilësinë dhe elegancën. Kudo dhe kurdoherë. E reja? Përdorimi i materialeve tekno si plastika, pëlhura të llakuara dhe veshje të argjendta. Look-u prej xhentëllmeni: dopiopeti është rikthyer, pardesyja është klasike dhe nuk shkon përtej gjunjëve.
Ndikimi i rrokut: Grija është e zeza e re: gri në të gjitha nuancat si për meshkuj ashtu edhe për femra. Xhaketa e rehatshme dhe e ngrohtë. Pulovra të gjata: pulovra dhe triko me kopsa edhe për meshkujt. Look-u i ardhshëm: materiale të preferuara në tonalitete të argjendta për një pamje sikur keni zbritur nga një e ardhme e largët. Stil kalorësi: çizme të gjata edhe për meshkuj për t’u mbajtur mbi pantallona. Lëkurë e butë: lëkura e butë dhe elegante për një stil më të sofistikuar, por nuk mungojnë as elementët fetish apo ato sado-mazokistë.
Veshjet
Versace
Një mashkull bipolar, është propozuar nga Versace për këtë vjeshtë/dimër. Në sfilata vihen re dy tipologji për mashkullin e ri. Imazh i ri për një mashkull që duhet të jetë i sertë. Janë zhdukur ngjyrat e ndezura, të shndritshme, tokëzat dhe ari. Donatella Versace propozon versionin klerikal. Ky është provokimi i ri i shtëpisë së famshme të modës. Por nuk mund të mungonte një prekje rrok: me smokingët dhe bojën e përdorur për çizmet tashmë legjendare me takë. Dhe për koleksionin e ri Versace zgjedh blunë si gamën kryesore të ngjyrave (nga bluja e letrës karbon te bluja mikropçip). Mashkulli i Versaces është xhentëlmeni klasik, por shumë bashkëkohor dhe modern, që e ka shumë të lehtë të vesh kostume dhe pardesy, por edhe që mund të ndryshojë në pulovra dhe xhaketa të shkurtra në një pulitje sysh.
Prada
Ndërsa mashkulli i propozuar nga Prada vishet me materiale të rinj, ngjyra të reja dhe vëllime të reja. Nga mëndafshi te leshi i angorës, nga peliçet te lëkura e dashit: shtylla e koleksionit janë trikot. Por risia e vërtetë janë xhaketat, që vjedhin vëllimet e linjave femërore e dizajnojnë një trup të ri për mashkullin duke e transformuar atë. Ndërsa pantallonat janë “të guximshme”, me shtratin e shkurtër e të ngushta te kaviljet. Me koleksionin e fundit për meshkuj, Prada ofron një version që përqafon të njëjtën ide me atë të koleksionit të femrave- diçka mes një mashkulli të egër, gati primitiv dhe një kukulle “baby-boy”, të përkufizuar në mënyrë lakonike. Ky është statusi i mashkullit modern për shtëpinë e modës Prada.
Bottega Veneta
Bottega Veneta i rikthehet traditës së rafinuar qepëse duke e vënë theksin mbi ngjyrat: jeshile, mustardë, ngjyrë qumështi, bezhë. Kujdesi për detajet bëhet gati në formë maniake: xhaketa deveje, aksesorë luksi si mbërthesa në lëkurë krokodili dhe kapëse të arta, për të cilat do të jenë artikuj të domosdoshëm për këtë sezon. Një koleksion i larmishëm, i pasur në detaje që me një pamje kompleton të gjithë gardërobën mashkullore. Frymëzimi: shija e qëndrueshme mashkullore e interpretuar me një shtysë krijimtarie të fortë dhe ndonjëherë profane, depërton nga një shpirt i klasës së lartë me reflekse magjepsëse. Materialet: të shndritshme, lëkurë të llakuara, të lyera me varak, të metalizuara, kamoshe të ylberta, dhe kadife e butë. Me luspa të mëdha, pëlhura të leshta me fije të ngjyrosura me dizajno bardhë e zi.
Armani
Armani, për koleksionin Emporio, vendos gjithçka mbi materialin, në risinë e pëlhurës. Sertësisht e zezë, më pak lëshim në grinë. Pantallona të puthitura pas trupit me shtesa xhinsi ose pantallona kostumi të propozuara në anën sportive. Mashkulli i propozuar nga Giorgio Armani përzien stile dhe tendenca. Pëlqen të zhdramatizojë dhe është në gjendje të kombinojë veshje klasike me ato sportive. Giorgo Armani kombinon materiale të ndryshëm për xhaketat dhe pantallonat në një blu mesnate, jeshile të errët dhe kadife ngjyrë vjollcë. Ndërsa e zeza është sunduesja e përhershme. Në vend të këmishës dhe kravatës Armani e sheh mashkullin në artikuj të trikotuar dhe jelekë. E zeza Emporio Armani mund të dallohet lehtë: elegante, e matur dhe njëkohësisht trendi.
Roberto Cavalli
Roberto Cavalli e shpie mashkullin në përëndimin e vjetër, me pantallona pitoni, çizme, rripa voluminozë, por nuk e nënçmon, përkundrazi thërret në stampa, në prerjet e pantallonave, në peliçe, botën e rrokut. Një koleksion mbase tepër i pasur, por i kalibruar. Në linja është argëtues dhe për një mashkull të sigurt në vetvete është shumë bashkëkohor. Koleksioni është përzierje mes artizanatit fiorentin dhe botës së yjeve të rrokut. I lidhur në një siluetë të ngjitur pas trupit me xhaketa të ngushta dhe pantallona lëkure që ndalen mbi kavilje. Mashkulli i Roberto Cavalli-t deklaron haptas natyrën e tij. E përmbledhur në një gamë kromatike që shkëputet fare pak nga e zeza, më pak devijim drejt devesë dhe blusë elektrike, koleksioni është antitezë absolute e ngjyrave klasike të Cavalli-t.
Valentino
Në koleksionin e tij Valentino ofron kalorësin e bardhë, duke sjellë të gjithë elementët e së bardhës që përfshijnë pardesy dopiopet, kostum dopiopet, xhaketë me dy kopsa dhe xhaketë të shkurtër deri në bel në lëkurë gjarpri. Kravatat janë fakultative, ndërsa rripat të hollë. Pulovrat në jakë rrumbullake mund të vishen në vend të këmishëve dhe kravatave të rregullta. Ngjyra tjetër që ofron Valentino është grija e gurtë. Pardesytë vijnë në ngjyrë të zezë ose bezhë dhe jelekët e punuar me shtiza mund të vishen me kostume në vend të jelekëve klasikë .Nuk mungojnë as pantallonat dhe xhaketat e lëkurës në stilin e përditshëm.
Calvin Klein
Stilisti Italo Zuçhelli e sheh mashkullin e propozuar nga Calvin Klein në veshje të qepura në mënyrë elegante me një shtesë teknologjie. I njohur për estetikën e tij minimaliste ai dizajnon xhaketa të shkurtra të mbuluara në PVC të tejdukshme ose kostumet ne materiale të leshta.
Italo Zuçhelli ka punuar në një gamë të gjerë ngjyrash si ngjyrë deti, ngjyrë e përhimë dhe nuancat e grisë më pak ndërthurje lejla dhe të verdhë kanarinë.
Dsquared
Dean dhe Dan Caten kanë befasuar me sfilatën e tyre për koleksionin 2008. Shtëpia e modës ka prezantuar një mashkull shumë të veçantë: agresiv, që thyen rregullat dhe të mbuluar nga koka te këmbët me lëkurë të zezë. Një mashkull që e di mirë se çfarë dëshiron dhe di si ta arrijë. Një mashkull me pantallona lëkure të zezë dhe me kamxhik në dorë. Ky është mashkulli i Dsquared. Gjithçka me tonë tepër të ndezura. E zeza është ajo që mbretëron, ashtu si edhe për Emporio Armanin. Nëse lëkura ishte një element shumë i përdorur për femrën e vjeshtës 2006 këtë vit do të jetë sërish. Por kësaj here i takon mashkullit.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›