E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni/ Ligji për Parlamentin miratohet pa konsensusin e kërkuar nga Brukseli

Pa konsensusin e kërkuar nga Brukseli dhe vetëm me votat e VMRO-DPMNE, LSDM-së dhe BDI-së, të hënën, Parlamenti i Maqedonisë e miratoi Ligjin për Parlamentin. Ekspertët thonë se mungesa e konsensusit dhe dialogut politik do të ndikojë që Maqedonia në vjeshtë të marrë raport negativ nga Komisioni Europian. Në të ardhmen do të lexohet sërish edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe parashikohet të gjitha materialet të jenë në gjuhën shqipe, por jo edhe zhvillimi i seancave. Partia opozitare shqiptare, PDSH kërkoi përdorimin e plotë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet dhe respektimin e propozimeve të saj për avancimin e statusit të shqiptarëve. Mos përfillja e këtyre kërkesave rezultoi me bojkot të punës së Parlamentit. Sipas PDSH-së, Parlamenti sjell ligje që lënë pas dore dinjitetin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe që janë segregative për bashkësinë shqiptare. Në seancën e djeshme njëherazi u miratua konkluzion, me të cilin Komisioni për çështje të rregullores dhe imunitetit-mandatit deri te Komisioni në afat prej katër muajve duhet të parashtrojë Propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores kuvendore në bazë të mendimit të Komisionit europian për demokraci dhe Komisionit të Venecies.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›