E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, PDSH akuza partisë në pushtet, BDI-së për gjendjen e shqiptarëve

03-12-2012 / Gazeta 55

Menduh Thaçi: Shqiptarët në gjendje të mjerueshme

Shqiptarët në Maqedoni janë në gjendje të mjerueshme andaj duhet shumë punë drejt realizimit të interesit kombëtar, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, në promovimin e kandidatëve partiakë në komunat e Shkupit, për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Për gjendjen e rëndë të shqiptarëve Thaçi drejtpërdrejt akuzoi partinë shqiptare në pushtet, BDI. “PDSH është lëvizja e shqiptarëve të Maqedonisë. 20 vjet rezistencë, 20 vjet qëndresë kjo është bërë për arsye se ne kemi pasur politikë shumë të drejtë kombëtare. Sulmet që i janë bërë kësaj partie janë sulme që i bëhen çështjes shqiptare. Ne jemi në një moment shumë të rëndë dhe të vështirë. Shqiptarët e Maqedonisë fatkeqësisht nuk kanë mirëkuptim edhe jashtë për këtë gjendje, por kush kontribuon që të mos ketë mirëkuptim për gjendjen e rëndë të shqiptarëve ata cirkusant që bëjnë cirkuse”.

Sipas kryetarit të PDSH-së, beteja për përmirësimin e kësaj gjendje të shqiptarëve është e vështirë. Ai ka pyetur BDI-në përse deri tani nuk janë zgjidhur problemet kyçe të shqiptarëve. 

“Pyetjet në të cilat ata duhet të përgjigjen janë këto, pse 10 vjet nuk e bënë gjuhën shqipe gjuhë zyrtare pse 10 vjet flamurin shqiptar nuk e bën zyrtar në përdorim dhe gjithë shqiptarët të kenë të drejtë ta përdorin këtë flamur pse 10 vjet nuk e rregulluan statusin e pjesëmarrëse të konfliktit të 2001 pse 10 vjet nuk arritën që prej buxhetit të shtetit të marrin pak më tepër se 1 për qind jo më 30% të buxhetit të shtetit”. 

Kandidatët e PDSH-së në fjalimet e tyre premtuan se do të angazhohen për kthimin e dinjitetit dhe të krenarisë së shqiptarëve, se do ti thonë stop politikës së mbrapshtë antishqiptare dhe se do të ketë siguri dhe mirëqenie në vendbanimet shqiptare. 

Kandidati i PDSH-së për qytetin e Shkupit do të jetë deputeti aktual Bekim Fazliu, për komunën e Çairit do të garojë Muhamet Thaçi, në komunën Butel - Edmond Miftari, Gazi Babë - Nasir Zeqiri, në komunën Shuto Orizarë - Ibrahim Suma, në Haraçinë - Avni Gafuri, Studeniçan - Azem Sadiku dhe Saraj - Hazbi Nuredini.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›