Maqedoni, PDSH dhe BDI përplasen për Topin
Vizita e Presidentit Bamir Topi në Maqedoni, dhe një takim me Ali Ahmetin e BDI-së, ka shkaktuar debate në mes faktorit shqiptar. Zyrtarë të Partisë Demokratike Shqiptare shprehën mospajtimin e tyre me faktin se z.Topi kishte mbajtur takime të diferencuara me aktorët shqiptarë në Shkup. Menjëherë erdhi reagimi i zyrës së shtypit të Presidentit të Shqipërisë, ku thuhej ndër të tjera se “gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti Topi nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Takimi me z.Ali Ahmeti, i cili ka ngjallur ndjeshmërinë e partive të tjera shqiptare në Maqedoni, ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit””. Gjithashtu me këtë rast, vijon njoftimi, Presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike duke u përshëndetur edhe me Kryetarin e PDSH-së, z. Menduh Thaçi, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Më pas, PDSH-ja doli në një deklaratë për shtyp ku akuzonte PDI-në se kishte manipuluar median dhe opinionin publik me takimin Topi-Ahmeti. “Inferioritetin tuaj në këtë qeverisje e dëshmon edhe ajo se keni filluar të sajoni takime me figura politike, siç është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, të cilin përpos në sajime, vështirë se e takoni. Kësaj radhe ngelet të shohim se si do ta përballoni këtë turp”, thuhej në deklaratën e PDSH-së. Në një reagim të posaçëm, BDI replikoi duke thënë se “shërbimi i informimit të BDI-së nuk publikoi asnjë informacion ose kumtesë lidhur me takimin e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti ose mos takimin e tij me përfaqësues të partive tjera shqiptare në Maqedoni”.