Rama: Kandidatët e 8 Majit sa më politikë, evitoni përçarjet
Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme, Partia Socialiste ka mbyllur dje dyert e Asamblesë Kombëtare edhe gjatë fjalimit të kryetarit të saj Edi Rama. Një veprim ky që është argumentuar me faktin se mbledhja ishte organizative dhe se fjala e Ramës kishte në qendër të saj udhëzime të posaçme për mënyrën sesi duhet të sillen strukturat gjatë ditëve në vijim deri në zgjedhjet e 8 Majit. Megjithatë, burime nga kjo mbledhje kanë bërë të ditur se ajo për të cilën Rama i është ruajtur ekspozimit ndaj medias ka qenë pikërisht porosia për të shmangur çdo përçarje dhe hatërmbetje të individëve të ndryshëm gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave.
Porositë
Rama ka parashtruar para anëtarëve të asamblesë një sërë porosish lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Duke i konsideruar zgjedhjet lokale si politike, ai i ka konsideruar ato si një betejë që duhen fituar me rezultat të thellë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme të 2013-s. Pra, në këtë mënyrë kreu socialist ka pranuar se pavarësisht kërkesës për zgjedhje të parakohshme, në vetvete është i bindur se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen vetëm më 2013. “Duhet të fitojmë këto zgjedhje për të fituar 2013-n, ndaj duhet ta ngjyrosim Shqipërinë me rozë. Prandaj zgjedhjet për ne janë politike dhe për këtë qëllim ne duhet të përzgjedhim kandidatë sa më të majtë, pra njerëz sa më politikë”, - mësohet se është shprehur Rama. Në funksion të kësaj ai ka porositur anëtarët e Asamblesë që të kenë kujdes që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të mos krijojë pakënaqësi në gjirin e socialistëve. “Situata politike është pro nesh dhe perceptimi në elektorat është gjithashtu pro nesh. Ndaj duhet të shmangim çdo hatërmbetje apo përçarje, pasi kjo mund të na prishë punë. Në vitin 2007 në Sarandë sondazhet na jepnin një mbështetje në 60%, por ne humbëm për shkak të përçarjes. Ashtu ndodhi edhe me Tepelenën. Por edhe pse tani situata është më e mirë për ne, pasi në Sarandë sondazhet na japin 80% mbështetje, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, - është shprehur Rama gjatë fjalës së tij të mbajtur me dyer të mbyllura. Për të shmangur çdo lloj pakënaqësie, kreu socialist ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore të jetë sa më real dhe jo fals. “Përzgjedhja e kandidatëve nuk duhet të jetë thjesht një proces mekanik dhe nuk duhet të zgjidhen njerëz që i kthejnë shpinën PS-së. Pa parti nuk mund të fitojë askush”. Ndërkohë Rama po dje në Vlorë ka theksuar se beteja e 8 Majit është më e madhe se gara për kandidatët. “Më 15 mars manifestojmë kundër padrejtësisë, manifestojmë për drejtësinë” - ka thënë ai.
Udhëzimi
Pas fjalës së kryesocialistit, mbledhja e Asamblesë ka vijuar me diskutime të tjera kryesisht duke iu referuar udhëzimit të propozuar nga sekretari organizativ Blendi Klosi dhe miratuar më parë nga kryesia, për përzgjedhjen e kandidatëve. Nga burime të tjera pranë kësaj mbledhjeje mësohet se thuajse në unison me kreun socialist ka qenë edhe ish-kryeministri Majko, i cili ka bërë thirrje për solidaritet mes socialistëve për të lënë mënjanë pakënaqësitë që janë krijuar në kohë. Ndërkohë që diskutimet e tjera kanë patur si objekt përmbajtjen e udhëzimit. Ka qenë deputeti Damian Gjiknuri ai që ka propozuar heqjen e pikës 7 të kritereve, e cila ndalonte rikandidimin e atyre personave që kishin humbur në zgjedhjet e 2007-s. Propozim ky që ka gjetur mbështetje nga shumica e Asamblesë. Një tjetër çështje që ka shkaktuar debat ka qenë dhe pika që përcaktonte se kandidatët duhet të kishin kontribute të spikatura në vitet e fundit. Deputetja Arta Dade mësohet se ka qenë kundër një formulimi të tillë, duke e konsideruar atë si diskriminues dhe jo objektiv. Nga të njëjtat burime mësohet se Dade ka theksuar se duhen vlerësuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribute në çdo kohë dhe jo vetëm në vitet e fundit. Ndaj ajo ka propozuar që të hiqet kjo shprehje, por duke gjetur kundërshtimin e Bashkim Finos, i cili ka theksuar se një vlerësim i tillë mbetet i nevojshëm. Por në fund ka fituar propozimi i Dades, pasi nismëtarët e këtij udhëzimi kanë pranuar ta heqin këtë shprehje.
Kriteret e kandidatëve të PS-së, ndryshojnë dy pika të udhëzimit
Asambleja Kombëtare e PS-së ka miratuar dje me disa ndryshime jo pak thelbësore udhëzimin e propozuar nga kryesia për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe bashkive si dhe këshilltarët e tyre. Në dy javët e ardhshme selia rozë sipas këtij udhëzimi pritet të konkludojë të gjithë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për t’ia paraqitur më pas KQZ-së për regjistrim. Por ndryshe nga sa ishte propozuar në draftin e miratuar dy ditë më parë në kryesi, udhëzimi ka pësuar një sërë ndryshimesh, ku ai më i rëndësishmi ishte heqja e pikës 7 të kritereve, e cila kishte të bënte me ndalimin e rikandidimit të të gjithë atyre personave që kishin konkurruar edhe më 2007, por që nuk kishin mundur të fitonin. Gjithashtu, një pikë tjetër që ka ngjallur jo pak debat dhe që në fund është hequr nga udhëzimi, ka qenë pikërisht përcaktimi për të përzgjedhur kandidatura ata persona që kanë kontribute të spikatura në parti kohët e fundit.
Udhëzim
Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar dhe këshilltar të Komunës dhe Bashkisë për zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011
Parimet
Parimet kryesore mbi të cilat do të mbështetet procedura për përzgjedhjen e kandidaturave për organet e qeverisjes vendore do të jenë:
1. Konsultimi dhe respektimi i kërkesave dhe normave statutore të partisë
2. Kandidatët do të jenë nga anëtarësia e PSSH-së dhe përkrahës të saj
3. Garantimi i një harmonie midis vazhdimësisë e ripërtëritjes
4. Përzgjedhja e kandidaturave mbi bazën e CV
5. Kandidatët e PSSH-së do të përzgjidhen sipas rezultateve të konsultimit me strukturat e PSSH-së dhe testimeve të bëra në anëtarësinë e partisë dhe në publik
6. Kryetarët aktual të bashkive dhe komunave konsiderohen pjesë e kandidaturave të propozuara dhe nuk i nënshtrohen shqyrtimit në AS
Kriteret
Kandidatët e përzgjedhur nga PSSH duhet:
1. Të plotësojnë kërkesat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë
2. Të kenë kontribut e angazhim politik dhe të kenë njohuri për programin e politikat e PSSH-së në nivel kombëtar e vendor,
3. Të kenë arsim të lartë, të zotërojnë aftësi të spikatura profesionale e menaxhuese,
4. Të gëzojnë reputacion dhe të kenë mbështetje të gjerë në komunitet, të jenë aktiv dhe të angazhuar për të njohur, ndjekur e zgjidhur problemet e elektoratit,
5. Të kenë njohuri mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, aftësi drejtuese, organizuese e të punës në ekip, të zotërojnë eksperiencë për menaxhimin e burimeve njerëzore e materiale,
6. Të kenë integritet moral dhe kurajë për të luftuar korrupsionin, abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit,
7. Të jetë në mënyrë të përputhur me kërkesat e kodit të Partisë Socialiste dhe të ligjit përsa i përket konfliktit të interesave.
Në listat e kandidaturave për anëtarë të këshillave të komunës dhe bashkisë duhet gjithashtu të respektohet:
1. Përfshirja e kandidaturave me kontribute të spikatura,
2. Përfshirja e kandidaturave në respekt të përfaqësimit sipas vendbanimit (sipas fshatrave në komuna dhe lagjeve në bashki).
3. Parimi i barazisë (shanseve te barabarta) sipas moshës e gjinisë, duke zbatuar kërkesat e Kodit Elektorat dhe statutit të PSSH-së.
4. Përfaqësim i të gjitha kategorive sociale.
Procedurat
Mbledhjet e AS të bashkive dhe komunave (Deri 19 Mars 2011)
1. Mbledhjet e AS për administrimin e kandidaturave zhvillohen me pjesëmarrjen e domosdoshme të kryetarit të PS-së të rrethit (Sekretarit ZAZ) dhe deputetit sipas ndarjes së ZAZ.
2. Kryetari i PS-së të komunës/bashkisë bazuar në konsultimin me anëtarësinë e partisë dhe Deputetin e ZAZ-së, paraqet në AS e bashkisë/komunës projektin e kandidatëve për kryetar të komunës/bashkisë dhe projektin e listës shumëemërore për këshilltarë të komunës/bashkisë.
3. AS e bashkisë/komunës shqyrton kandidaturat për kryetar të bashkisë/komunës, miraton kandidaturat për këshilltarë të bashkisë/komunës. Gjatë shqyrtimit të kandidaturave për kryetar dhe listën shumëemërore për këshilltarë AS duhet të mbajë parasysh kërkesën e nenit 41 të Statutit të PSSH për shmangien e konfliktit të interesave.
4. Në përfundim të mbledhjes së AS mbahet proces-verbal. Kopje të tyre i merr deputeti dhe Kryetari PS i rrethit. Procesverbalin me kandidaturat për kryetar të bashkisë/komunës ia përcjell Kryesisë së PSSH për vendimmarrje përfundimtare, ndërsa procesverbalin me kandidaturat për këshilltarë të bashkisë/ komunës ia përcjell Këshillit Koordinativ të Partisë në Qark për vendimmarrje përfundimtare.
Këshilli Koordinues i Partisë në Qark ( Deri 22 Mars 2011)
1. Administron listat për këshilltarë të bashkive e komunave në juridiksion të qarkut.
2. Shqyrton përputhshmërinë e kandidatëve të listave shumëemërore me parimet, kriteret e kërkesat e përcaktuara në Kodin e Zgjedhjeve dhe në këtë Udhëzim.
3. Shqyrton dhe bën miratimin përfundimtar të listave shumëemërore për anëtarë të këshillave të bashkive e komunave.
Kryesia e PSSH (Deri 26 Mars 2011)
1. Kryesia e PSSH mbështetur në: a) Listën e kandidaturave për kryetar komune/bashkie; b)Listën e kandidaturave për anëtar të këshillit të bashkisë Tiranë të miratuar nga AS e Bashkisë Tiranë; c) Vlerësimet, sugjerimet e vërejtjet e Asamblesë së bashkisë/komunës; vendos për kandidaturat për kryetar të bashkisë/komunës dhe për listën shumëemërore për anëtarë të Këshillit të Bashkisë Tiranë.
2. Kryesia e PSSH ka të drejtë të përcaktojë kandidaturat për kryetar bashkie/komune ose anëtarë të këshillit të bashkisë së Tiranës jashtë atyre të administruara në proces, kur e gjykon të nevojshme.
3. Kryesia e PSSH-së vendos për aleancat me aleatët në të gjithë territorin e vendit.