PS dorëzon te ndërkombëtarët skemën për ndryshimin e KQZ dhe kartat
Megjithëse gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare socialistët nuk folën fare për çështjen e kushteve për zgjedhjet e ardhshme vendore, selia rozë nuk ka hequr dorë prej tyre. Burime nga socialistët kanë bërë të ditur dje se ekspertët zgjedhorë kanë hartuar një paketë kushtesh, plotësimi i të cilave, sipas kësaj force, do të jepte garanci që zgjedhjet e ardhshme të 8 Majit të ishin të lira dhe demokratike. Paketë e cila, siç mësohet, ka mbërritur edhe në duart e demokratëve. Dhe kjo falë ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar që vepron në Tiranë. Të njëjtat burime kanë sqaruar se Partia Socialiste ia ka vënë në dispozicion përfaqësuesve të huaj, të cilët nga ana e tyre ia kanë dorëzuar ato përfaqësuesve të lartë demokratë. Siç bëhet e ditur, pjesë e kësaj pakete janë bërë pak a shumë ato kushte të cilat PS i ka bërë publike nëpërmjet përfaqësuesve të saj. Dhe më konkretisht, PS kërkon një KQZ të balancuar dhe të garantuar nga Presidenti. Çka do të thotë një Komision Qendror Zgjedhor me 3 përfaqësues të propozuar nga e djathta, 3 nga e majta, ndërsa anëtari i shtatë të zgjidhet nga Presidenti. Kjo sipas socialistëve do të krijonte mundësinë e një balancimi që do të sillte garanci se vendimmarrja e ardhshme e këtij institucioni do të ishte e drejtë. Gjithashtu, një tjetër kusht i përfshirë në këtë paketë ka të bëjë me listat zgjedhore, të cilat kërkohen të jenë të kontrolluara dhe certifikuara nga opozita. Pikë tjetër janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, për të cilat kërkohet që të krijohet mundësia për t’u verifikuar elektronikisht. Përveç këtyre kushteve, që deri diku janë bërë publike dhe më parë nga drejtuesit socialistë, në këtë paketë kushtesh janë përfshirë dhe kërkesat për polici të paanshme dhe të ndarë nga qeveria e Partia Demokratike, si dhe qeveria të vihet nën kontroll për përdorimin e parave publike dhe aseteve publike në funksion të partisë.
Mësohet se propozimet janë duke u shqyrtuar nga demokratët, të cilët deri tani publikisht nuk kanë dhënë shenja se janë të gatshëm të ndryshojnë KQZ-në. PS në të vërtetë shpresat i ka varur te ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve dhe konkretisht te një vizitë e të dërguarit të BE, Miroslav Lajcak, i cili pritet të vizitojë sërish Tiranën.