OSBE, Wollfarth: Mos ndryshoni listat e zgjedhësve
“Do të doja t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror dhe vendor, të përfshira në hartimin e listave të zgjedhësve, t’i përmbahen plotësisht Kodit Zgjedhor”
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth deklaroi dje se është në dijeni se disa Zyra të Gjendjes Civile, në të gjithë Shqipërinë, vazhdojnë të përpunojnë kërkesa të reja për ndryshime të dhënash në listat paraprake të zgjedhësve. Përmes njoftimit për median, diplomati perëndimor kërkoi të rideklarojë se, sipas Kodit Zgjedhor, afati i fundit deri kur zgjedhësit mund të paraqesin kërkesa për ndryshime të të dhënave personale është 60 ditë përpara Ditës së Zgjedhjeve – që, në rast të zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, është data 9 mars 2011. “Duke qenë se kjo datë ka kaluar tashmë, do të doja t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve në nivel qendror dhe vendor, të përfshira në hartimin e listave të zgjedhësve, t’i përmbahen plotësisht Kodit Zgjedhor dhe kësaj dispozite ligjore të rëndësishme”, u shpreh ambasadori. Po dje reagoi me një prononcim për median edhe anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetarja e minibashkinë nr.1 në Tiranë, Lindita Nikolla. “Falenderojmë ambasadorin e OSBE për deklaratën e tij publike, në mbështetje të shqetësimit tonë të disa ditëve, i cili ka të bëjë me shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe mosrespektimin e afateve ligjore, në përditësimin në listat e zgjedhësve”, u shpreh Nikolla. I bëjmë me dije gjithashtu opinionit publik, shtoi ajo, se Sistemi Kombëtar i Regjistrit të Gjendjes Civile administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Nikolla konstatoi se kjo drejtori, jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë, në mënyrë që teknikisht procesi i përditësimit në listat e zgjedhësve të ishte konform Kodit Zgjedhor dhe në respektim të plotë të afateve ligjore, por akoma dhe më tej ka krijuar një tymnajë informacioni në zyrat e gjendjes civile, duke dashur të prodhojë, as më shumë e as më pak, por procedura që do të çonin në shformim të rezultatit zgjedhor. “Sigurisht edhe për këtë fajin e ka Saliu. Por ne garantojmë jo vetëm opinion publik por çdo votues, që do të bëjmë të mundur që në këto lista, ne të denoncojmë të gjitha shkeljet që Lulzim Basha dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kërkojmë, me synimin e vetëm të një procesi zgjedhor, jo të ndershëm dhe të manipuluar”, nënvizoi Nikolla. Partia Socialiste prej kohësh e ka vendosur çështjen e listave zgjedhore, si një kusht të panegociueshëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. “Ka një bazë qendrore, ku përpunohen listat e zgjedhësve dhe që monitorohen nga pushteti qendror, nga Lulëzim Basha, nga Poni dhe që opozita nuk ka asnjë akses”, qe shprehur pak ditë më parë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Një tjetër kusht i socialistëve kishte të bënte me kartat e identitetit, për të cilat ka pasur pretendime publike se janë prodhuar edhe të tilla fallto. “Kam deklaruar se mbi 50 për qind e votuesve shqiptarë kanë votuar pa dokument identifikimi. Çfarë duhet të ndodhë më shumë në këtë vend, ndaj çfarë garancie do kemi për këto karta dhe çfarë garancie do kemi që votuesit shqiptarë do votojnë sipas parimit, çdo votues një votë”, u shpreh Ruçi. Elementi i tretë sipas opozitës është institucioni që menaxhon dhe administron zgjedhjet. “Çfarë besueshmërie do kemi ne te ky institucion, që në mes të ditës shkel me të dyja këmbët kodin elektoral. Çfarë garancie kemi ne tek ky komision, që merr vendime të njëanshme”, u shpreh pak ditë më parë Ruçi.