E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni/ Takimi Ahmeti-Cërvenkovski, projektohen skenarë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka takuar sot kryetarin e LSDM-së dhe partnerin e vjetër qeveritar Branko Cërvenkovski.
Në takimin për rreth dy orë janë diskutuar të gjitha çështjet e ndjeshme në vend, ndërsa Cërvenkovski ka bërë të ditur se për shumë çështje kanë rënë dakort me Ahmetin.
Sipas mediave maqedonase dy partnerët e dikurshëm kanë diskutuar edhe mundësinë e krijimit të një krize politike, e cila do të sillte edhe braktisjen e qeverisë nga partia shqiptare BDI, por edhe zgjerimi i frontit të forcave politike kundër VMRO-DPMNE-së.
Ali Ahmeti pas këtij takimi ka theksuar se çështjet e biseduara kanë qenë Sopoti, rastet e Hagës, statusi i luftëtarëve të UçK-së.
"Këto raste nuk janë të rënda dhe tema radikale për të cilat ne do të dilnim nga Qeveria, për shkak se për to duhet të gjendet zgjidhje nëpërmjet negociatave. Vlerësojë se Maqedonisë nuk i janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shteti nuk është i përgatitur për një hap të tillë", ka theksuar Ahmeti, duke nënvizuar se së shpejti do të ketë një zgjidhje për kontestin e emrit me Greqinë.
Në BDI janë shtuar zërat kundër partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE-së, pas mosrealizimit të takimit të pritur mes Ahmetit dhe Gruevskit, për të shtruar tre çështjet e hapura për zgjidhje: rasti i Sopotit, Ligji për UçK-në si dhe mbyllja e rasteve të Hagës. Takimi midis kreut të BDI-së dhe atij të LSDM-së ka pasuar takimin e paralajmëruar midis Ahmetit dhe Gruevskit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›