E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, bojkoti i opozitës, Ivanov mbledh partitë

SHKUP-Liderët e partive kryesore politike në Maqedoni do të zhvillojnë sot një takim, me nismë të presidentit Gjorgje Ivanov. Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e kreut të shtetit maqedonas, ndërkohë që pritet konfirmimi nga vetë liderët e partive. Sipas raportimeve të mediave maqedonase, në qendër të bisedimeve pritet të jenë bojkoti i fundit i opozitës, cështja e emrit kushtetues, si dhe Marrëveshja e Ohrit.

Takimi në fjalë vjen pas një apeli të bërë nga zyrtari amerikan Thommas Countryman, i cili nxiti për dialog palët politike në Maqedoni. Takimi i liderëve i thirrur për sot nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov është në prag të dështimit pas kushtëzimeve nga ana e partive opozitare. Dy partitë e opozitës, LSDM dhe PDSH kanë shfaqur kushtet e tyre për të marrë pjesë në një tryezë dialogu midis partive politike. Kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski si parakusht të parë për të filluar dialogun kërkoi dje shmangien e barrierave për televizionin Maqedonas A1 dhe gazetat që janë të afërta me biznesmenin Velija Ramkovski. Këto kërkesa janë mbështetur edhe nga partnerët tjerë opozitar maqedonas.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e organizuar nga presidenti Ivanov, duke e quajtur atë takim manipulativ.
“Ivanovi nuk ka mandat prej shqiptarëve, mos të merret kjo personale, e dyta, Ivanovi thjesht nuk është kërkush në aspektin e forcës politike”, theksoi Thaçi duke kërkuar dialog midis katër partive relevante por sipas tij, të thirrur nga kryeministri Nikolla Gruevski.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›