E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, burg i përjetshëm, modë e re në gjyqësi!

Kjo dukuri e gjykimit vend e pa vend, pa i plotësuar të gjitha kriteret e ndarjes së mirëfilltë të drejtësisë nga ekspertët juridik konsiderohet si një veprim që nuk është shumë i pranueshëm në sistemin e drejtësisë.

Dënimi me burg të përjetshëm ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, pa i respektuar procedurat ligjore, duket vetëm një montim politik. Juristi dhe profesori universitar, Jeton Shasivari dënimin e liderit të AK-së, Harun Aliu dhe shokëve të tij e konsideron si një rast të montuar politik.

“Vendimi i këtij procesi që është një dënim kapital dhe që shqiptohet në mungesë të personit tregon se bëhet fjalë për një dënim jo të drejtë. Kyçe për të dhënë vendimin e burgimit të përjetshëm është prezenca e personit që ka kryer një vepër penale”, tha Shasivari.

Ai gjithashtu ka pohuar se vendimi ende nuk është i plotfuqishëm dhe ka hapësirë të goditet me mjete juridike. “Ka mundësi të rishqyrtohet procesi gjyqësor ose lënda përkatëse. Mendoj se më pak se 6 muaj do të dihet epilogu i këtij vendimi”, tha Shasivari.

Në procesin e fundit që u shqiptua vendimi burgim i përjetshëm ishin dënuar Harun Aliu, Bashkim Bajrami dhe Ismail Akemi, ndërkaq Bekim Dardhishta ishte dënuar me tre vite burg.

Juristi Osman Kadriu, pohon se vendimet me burgim të përjetshëm thuajse nuk zbatohen asnjëherë deri në fund, pasi ka shumë faktorë dhe metoda tjera nëpërmjet të cilave ky vendim mund të zbutet.

“Në disa raste i falë presidenti, por ka edhe metoda tjera për zbutjen e dënimit. Megjithatë sa i përket rastit të Harun Aliut vendimi duhet të kalojë nga shkalla e parë në të dytën e kështu me radhë, ku do të jepen faktet dhe argumentet nga pala mbrojtëse”, tha Kadriu.

Ndërkaq, profesori Shasivari pohon se burgimi i përjetshëm shqiptohet më së shumti ndaj shqiptarëve se etniteteve tjera. “Është një e vërtet se shqiptarët janë ata të cilët më së shumti dënohen me burgim të përjetshëm. Këta vendime të çojnë të mendojnë se jemi kthyer në sistemin monist ku shqiptarët janë ballafaquar, ose eliminuar me procese të montuara dhe ishin dënuar me vendime drakonike”, tha Shasivari.

Procesi gjyqësor është njëri prej sektorëve më të pareformuar në Maqedoni. Të gjitha raportet dhe vlerësimet që vijnë nga Bashkimi Evropian janë negative. Shumica e gjyqtarëve ende veprojnë sipas avazit dhe shkollës së vjetër komuniste, ndërsa shumë prej tyre nuk dinë të përdorin as kompjuterin. Nga të gjitha aferat dhe manipulimet e deritanishme financiare me shuma milionëshe që janë kryer nga persona publik, nuk është shqiptuar një dënim për burgim të përjetshëm. /lajm/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›