E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, filloi fushata e zgjedhjeve

Ka filluar fushata e zgjedhjeve në Maqedoni, ku do të ketë zgjedhje për presidentin dhe zgjedhjet për kandidatët për komunat. Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur gjatë 20 ditëve të ardhshme do të mund të prezantojnë programet dhe ofertat e tyre para elektoratit, duke sqaruar se përse kërkojnë besimin e qytetarëve. Fushata do të zgjas deri më 20 mars në mesnatë, ndërsa më 22 mars do të hapen qendrat e votimit nga ora 7 deri më 19. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 1.792.082 votues të evidentuar në listën e vetme zgjedhore. Votuesit mund të japin votën e tyre për shtatë kandidat presidencial: Mirushe Hoxha nga PDSH, Agron Buxhaku nga BDI, Gjorgji Ivanov nga VMRO-DPMNE, Lubomir Frçkovski nga LSDM, Imer Selmani nga DR, Nano Ruzhin nga PLD dhe Lube Boshkovski, kandidat i pavarur. Për president shteti do të zgjidhet kandidati i cili do të sigurojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve. Nëse asnjëri nuk fiton shumicën e nevojshme, pas 14 ditëve do të organizohet raundi i dytë, ku do të garojnë dy kandidat, që kanë fituar shumicën e votave në raundin e parë. Garën do ta fitojë kandidati i cili ka siguruar shumicën e votave me kushtin gjithashtu që në zgjedhje të dalin edhe 40 për qind e trupit votues. Për zgjedhjet vendore, votuesit do të mund të zgjedhin kryetarët e komunave, për të cilat janë të kandidatura mbi 370 kandidat në mbarë vendin, ndërsa gjithashtu do të votohen edhe rreth 700 lista për këshilltarë komunal. Sipas organizimit territorial, në zgjedhjet vendore do të zgjidhen kryetarët dhe këshilltarët në 84 komunat e Maqedonisë dhe për Qytetin e Shkupit. Më 22 mars zhvillohen zgjedhjet e katërta presidenciale, ndërsa ato vendore janë të pestat me radhë që nga pavarësimi i vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›