Maqedoni, grevë kundër shkeljes së të drejtave
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM) në Maqedoni sot filloi grevën e organizuar për gjykimet e padrejta dhe për diskriminime në dhënien e shtetësisë së shqiptarëve të Maqedonisë, diskriminimi në arsim, kulturë, etj.
Kjo u bë e ditur sot nga kryetari i IGFM-së në Kumanovë, Idriz Sinani, i cili theksoi se në grevë kanë hyrë familjarë të personave që janë pjesë e gjykimeve të padrejta, dhe të gjithë të burgosurit tjerë nëpër burgjet e Maqedonisë, të cilët janë dënuar padrejtësisht me dhjetëra vite burg dhe burgim të përjetshëm.
Tani më një kohë të gjatë, IGFM-ja ka ngritur zërin për padrejtësitë e shumta që po u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë me gjykime të padrejta. Kemi reaguar në të gjitha forumet e larta në vend dhe jashtë për këto padrejtësi, por fatkeqësisht deri më tani zëri jonë ka hasur në vesh të shurdhër. I kemi informuar edhe organet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg, deklaroi Sinani.
IGFM kërkon lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të pafajshëm që po mbahen në burgjet e Maqedonisë si dhe të ndërpriten bastisjet e shtëpive të shqiptarëve dhe maltretimet me pretekst më banal që bëhen nga Ministria e Punëve të Brendshme.
INA